Gjykata Administrative, Halimi: Nëse nuk votohet, kemi planin “B”
Ministri i Drejtësisë shpalos zgjidhjen për krijimin e një “Dhome Administrative”, në rast se zvarritet sërish ligji për Gjykatën Administrative
Bllokimi dhe kushtëzimi politik për krijimin e Gjykatës Administrative duket se do të marrë zgjidhje nga një plan “teknik”. Ditën e djeshme ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, është shprehur se aktualisht po punohet për të paraqitur një zgjidhje teknike që, në çdo rast, nëse nuk do ketë një miratim të ligjit, të jetë e parashikuar çdo gjë për atë që ministri e quajti “Dhoma Administrative”. Konfirmimin e kësaj zgjidhjeje teknike ministri e ka bërë dje, ndërsa ka sqaruar dhe procesin për sigurimin e ambienteve për zhvillimin e seancave në Gjykatën ose Dhomën Administrative. “Kemi punuar ngushtë me zyrën e administrimit të buxhetit gjyqësor. Ata kanë përfunduar procesin e tenderimit për projektin. Gjithçka do të mbyllet brenda 6 muajsh dhe shqiptaret do të kenë ose një Dhomë Administrative ose një Gjykatë Administrative. Në rast se deri në atë kohë nuk do të kemi pëlqimin për Gjykatën Administrative, aty do të vendoset Dhoma Administrative. Kjo zgjidhje teknike do të jepet shume shpejt", tha dje ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Më tej ministri ka shpjeguar se nuk do të pritet ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë për krijimin e këtyre ambienteve dhe provizorisht deri në ndërtimin e tij do të jetë gati në një tjetër godinë brenda harkut kohor të gjashtë muajve. "Nuk do të presim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, sepse është një godinë tjetër që do të jetë e përkohshme për Gjykatën Administrative. Godina është në rrugën ‘Don Bosko’. Është marrë në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe do përdoret për funksionimin e Gjykatës Administrative”, deklaroi dje ministri Halimi. Pas përpjekjeve më shumë se trevjeçare për të votuar në Parlament me shumicë të cilësuar projektligjin “për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” e për pasojë dështimin e kësaj odiseje që do të sillte funksionimin e Gjykatës Administrative, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, shpalosi zgjidhjen “teknike” që sipas tij nuk do të mbajë të kushtëzuar funksionimin e këtij institucioni të shumëkërkuar nga biznesi. Sipas ministrit të Drejtësisë, po bëhet një studim për rishpërndarjen e gjyqtarëve, nga i cili synohet përqendrimi i gjyqtarëve në gjykatat më të mëdha e më tej 16 prej tyre do të kenë statusin e gjyqtarit administrativ. Në shtator të vitit të kaluar parlamentarët nuk arritën të ngrenë të paktën 84 kartona jeshilë për projektligjin e Gjykatës Administrative, çka solli dhe kritikat e shpeshta të Ambasadës Amerikane, sepse ishte USAID që financonte me 16 milionë dollarë ndërtimin e kësaj gjykate. Drafti i ligjit “Për Gjykatën Administrative” është paraqitur tri herë për votim në Kuvend dhe të tria herët është rrëzuar, pasi ky është një ligj që kërkon 3/5 dhe opozita që prej afro tre vitesh ka shpallur se nuk do e votojë këtë ligj pa u arritur kompromisi politik.