Djali i biznesmenit, peng për 5 mijë euro
Policia arreston dy të dyshuar pas dorëzimit të kontrolluar të parave të kërkuara nga dy rrëmbyesit
I dëmtuari dyshohet se është mbajtur peng dhe gjobitur si hakmarrje për shkak të lidhjes së tij me motrën e një prej të arrestuarve
TIRANË- Dy persona marrin peng djalin e një tregtari bizhuterish në kryeqytet dhe tentojnë t'i marrin një sasi prej pesë mijë eurosh, duke e kërcënuar, ndërkohë që dy personat e akuzuar për heqje të paligjshme të lirisë janë arrestuar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Budi" në kryeqytet, ku Genti Jaho, 20 vjeç, është marrë peng nga dy bashkëmoshatarë të tij, ku më pas është futur me dhunë në bagazhin e një makine tip
"Foristradë" ku është është nisur në periferi të Tiranës. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, Seksioni i Krimeve Kundër Personit ka arrestuar Pjerin Prengën, 20 vjeç dhe Envi Pelingun, 22 vjeç, të dy të akuzuar si autorë të dyshuar të marrjes peng me dhunë dhe të kanosjes të djalit të biznesmenit të bizhuterive, 20 vjeçarit Jaho. Nga të dhënat mësohet se si pretekst për pengmarrjen e të riut është përdorur lidhja që ka patur djali i biznesmenit me motrën e njërit prej të arrestuarve, Pjerin Prengës.
Kjo njohje është shfrytëzuar nga dy të arrestuarit, që të kanosin të riun për t'i marrë shumën e eurove. Pasi Jaho është marrë pa dëshirë në makinën e tij, bëhet e ditur se është futur në bagazhin e makinës tip Foristradë, ku dhe më pas është dërguar në fshatin Linzë, të Tiranës dhe në malin e Dajtit, ku mësohet se edhe është goditur.
Të rinjtë pengmarrës i kanë bërë presion Jahos duke e kërcënuar që të dorëzonte shumën prej pesë mijë eurosh. Pasi është dërguar larg kryeqytetit, mësohet se të dëmtuarit i janë marrë disa sende personale dhe ndaj tij është ushtruar dhunë.
Por mësohet se dy të arrestuarit e kishin kërcënuar dhe disa raste të tjera Jahon, duke i marrë shuma të konsiderueshme lekësh. Policia e kryeqytetit, pas informacioneve për ngjarjen, ka realizuar arrestimin e dy të rinjve, të cilët akuzohen për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë për dhënien e pasurisë.
Dy të dyshuarit për këtë ngjarje janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë së kryeqytetit, ku kanë shpjeguar arsyet e kanosjes së djalit të biznesmenit. Kjo është hera e dytë, brenda pak ditëve kur autorët përdorin për pengmarrje si karrem një femër.
Disa ditë më parë, Policia e kryeqytetit arrestoi dy persona, pasi kishin kanosur një biznesmen nga Vlora, me qëllimin për t'i zhvatur një sasi të konsiderueshme lekësh. Biznesmeni nga Vlora ishte njohur me një vajzë në rubrikën e një gazete, ku më pas ka lënë takim midis tyre në kryeqytet.
Por biznesmeni nuk është pritur nga vajza që kishte biseduar, por nga dy persona të tjerë, të cilët e kanë marrë në makinë duke e kërcënuar. Në të dy rastet, autorët e pengmarrjeve janë arrestuar brenda disa orëve nga policia.