E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelohet grupi punues për liberalizim

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka marrë vendim për krijimin e Grupit punues për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe planit të punës (GPLV).

Grupi Punues përbëhet nga përfaqësues të ministrive dhe agjencive relevante të Republikës së Kosovës, të cilët janë përgjegjës për koordinimin, monitorimin dhe raportimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të Qeverisë për implementimin e udhërrëfyesit dhe Planit të Veprimit për procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, si dhe rekomandimet që do të dalin në të ardhmen e afërt si rezultat i formalizimit të këtij procesi.

“GPLV do te koordinohet nga MPB, do të takohet në intervale të rregullta mujore dhe do t’i raportojë Ministrit të Punëve të Brendshme i cili me vendimin e Qeverisë Nr. 03/63 është caktuar si bartës i procesit të hartimit dhe implementimit të Udhërrëfyesit për Implementimin e Kritereve për procesin e liberalizimit të vizave në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Brendshme.

Grupi Punues do të ftojë edhe përfaqësues të institucioneve relevante ndërkombëtare e vendore, që kanë interes të marrin pjesë në takimet e GPLV-së, si dhe do të ftojë edhe përfaqësues të shoqërisë civile si partnerë në këtë proces.

Grupi gjithashtu do të ketë sekretariatin, i cili në aspektin teknik do ta përkrahë punën e GPLV-së. Takimi i parë i grupit do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›