E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukaj kërcënon gazetarin e “Express”-it

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) e ka dënuar kërcënimin dhe fyerjen që i është bërë gazetarit të Express-it, Arben Hyseni, nga drejtori Menaxhues i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Kërcënimet dhe fyerjet e Gjukajt kanë ardhur pasi gazeta ka botuar një artikull të gazetarit Arben Hyseni, nëpërmjet të cilit është raportuar se KEK-u ka nënshkruar kontratë me një kompani jo të licencuar për import të energjisë elektrike.

AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që iu bëhet gazetarëve, për shkak të kryerjes së punës së tyre.

“AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. Gazetarët kanë të drejtë të kërkojnë informata, të interesohen dhe të publikojnë temat që ata i konsiderojnë se janë në interes të publikut”, thuhet në një komunikatë të lëshuar sot nga AGPK.

Asociacioni u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë rast me seriozitet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›