E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të akuzuarit: ka pasur ndërhyrje, por s' kemi marrë para

Tenderat
Gjykata e Tiranës la dje në fuqi vendimet e masave të arrestuar për abuzime me tenderat e uniformave të administratës

TIRANË- Tre zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe tre tregtarët fitues të tenderit 1.2 milionë euro, të arrestuar tre ditë më parë, pranuan se për paracaktimin e fituesve kanë pranuar ndërhyrjet e përfaqësuesve të firmave fituese.

Një fakt i tillë është pohuar prej të arrestuarve dje në Gjykatën e Tiranës, gjatë njohjes me masën e arrestit të të arrestuarve dhe verifikimin. Sipas të arrestuarve ky veprim nuk është kryer kundrejt përfitimeve materiale prej zyrtarëve.

Bujar Murati, Drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imami, shef i Prokurimeve në Gardën e Republikës si dhe Redi Popesku, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit, i cili kryente rolin e ndërmjetësuesit, kanë pranuar se kanë pasur ndërhyrje për paracaktimin e fituesit të tenderit me objekt "blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të reja miratuar nga qeveria. Tenderi kishte qëllim blerjen e veshmbathjeve për një pjesë të administratës publike që trajtohen me uniformë.

Ndërkaq biznesmenët Artan Berberi, pronar i "Malbertex", Jani Gjergjefi, pronar i "Gjergjefi" si dhe Agur Sadiku, pronar "Sadiku" kanë pranuar dje se kanë futur "miq" për të ndërhyrë tek Drejtoria e Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme për të fituar tenderin me vlerën mbi 175 milionë lekë të reja.

Tender ky i miratuar nga qeveria për "blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre" të ndarë në 14 lote apo tenderë të veçantë sipas institucioneve. Prokurori i çështjes, pas fjalës së të arrestuarve, i tha Gjykatës se janë siguruar fakte, si dhe përgjime telefonike mes të arrestuarve, ku bien dakord që biznesmenët të paguajnë 10 për qind të vlerës totale të tenderit, shumë që kapte shifrën e rreth 125 mijë eurove.

Prokurori kërkoi nga gjykata lënien në fuqi të masave të sigurisë të caktuara në mungesë ndaj të arrestuarve, Bujar Murati, Tahir Imami, Redi Popesku, Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi. Për pronarin e shoqërisë "Sadiku" Agur Sadikun, u kërkua lënia në fuqi e masës së sigurisë "arrest shtëpie" për shkak të gjendjes jo të mirë të tij shëndetësore.

Ndërkaq, për këta persona, hetuesit pohuan se po verifikohen të gjitha tenderat e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme gjatë tri viteve të fundit. Të njëjtat burime pohuan se ka nisur verifikimi i pasurisë së tre zyrtarëve të arrestuar.

Nga përgjimet e siguruara rezulton se zyrtarët Murati dhe Imami, me anë të Popeskut, i kanë kërkuar tre biznesmenëve Berberi, Sadiku dhe Gjergjefi, rreth 250 milionë lekë të reja. Pas "pazareve" mes tyre nëpërmjet telefonit dhe takimeve të herë pas hershme ka zbritur në 125 mijë euro.

Kjo shumë mendohet se i përket 10 për qindëshit të vlerës së tenderit prej rreth mbi 1.2 milionë euro. Të akuzuarit u ndaluan dy ditë më parë gjatë një operacioni të Antikrimit Ekonomik të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›