E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët/ Tenderi 1.2 milionë euro, ja abuzimi

Blerjet ishin parashikuar të kryheshin në mënyrë të përqendruar dhe firmat e tre të arrestuarve ishin paracaktuar fituese

Hetimi për abuzimet e të arrestuarve nisi pas denoncimit të "Shekullit", për abuzimet që përgatiteshin në uniformën e Policisë së Shtetit

TIRANË- Njësia e Task- Forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, dy ditë pas arrestimit të tre zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, asaj të Integrimit e Gardës së Republikës dhe arrestimit të tre biznesmenëve, që kishin paguar 10 për qind e shumës së vlerës së tenderit që kapte shifrën rreth 1.2 milionë euro, zbardhen detaje të operacionit "Prokurimi i Fundit" i kryer në bashkëpunim me policinë. Hetimi ka nisur fill pas disa shkrimeve të botuara në gazetën "Shekulli", në lidhje me abuzime të vërejtura në procedurat e përgatitura për blerje të uniformave të ndryshme. Sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës, mësohet se hetimi ndaj të arrestuarve kishte filluar që nga shtatori i këtij viti, pas denoncimit në media të abuzimit me tenderin e Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme që kap shifrën totale rreth 1.2 milionë euro ose mbi 175 milionë lekë të reja. "Regjistrimi i procedimit penal për hetimin në fjalë është kryer më 11 shtator 2009, pas denoncimeve në media për abuzimin me tenderin e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Nga hetimet disa mujore është arritur të provohet se tre zyrtarët e arrestuar: Bujar Murati me detyrë drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, shtetasi Tahir Imami, me detyrë shef i prokurimeve në Gardën e Republikës si dhe Redi Popesku, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit, i cili kryente rolin e ndërmjetësuesit, kanë përfituar nga tre biznesmenët e arrestuar 10 për qind të vlerës totale të tenderimit, duke përfituar rreth 125 mijë euro të tre. Kjo pagesë është kryer nga të arrestuarit: Artan Berberi, pronar i Kompanisë "Malbertex", Jani Gjergjefi, pronar i shoqërisë "Gjergjefi" si dhe Agur Sadiku, pronar i shoqërisë "Sadiku", të cilët ishin paracaktuar si fitues të tenderit me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të reja miratuar nga qeveria",-thuhet nga hetimet. Fillimisht, sipas prokurorisë, me anë të përgjimeve dy zyrtarët Murati dhe Imami nëpërmjet ndërmjetësit Popesku, i kanë kërkuar tre biznesmenëve Berberi, Sadiku dhe Gjergjefi shumën prej rreth 250 milionë lekë, por, pas "pazareve" mes tyre shuma është zbritur në 125 mijë euro, që mendohet se tre të arrestuarit i kanë marrë. "Nga ana e prokurorisë, të gjitha këto biseda për pazaret e ndarjes së 10 % të vlerës së tenderit janë përgjuar dhe regjistruar, por, nuk është arritur të sekuestrohen paratë që mendohet se tre të dyshuarit i kanë përvetësuar nga biznesmenët",-thuhet nga akuza. Sipas prokurorisë, të arrestuarit dyshohet se kishin paracaktuar fituesin e tenderit që kishte vlerën totale prej mbi 175 milionë lekë të reja, i ndarë në 14 pjesë apo siç quhet në gjuhën zyrtare, në 14 lote. Të 14 lotët që bënin pjesë në tenderin me fond total mbi 175 milionë lekë, bëhej fjalë për blerje uniformash të pjesshme për Policinë si repartin e RENEA-s dhe të FNSH-ve, si dhe për Gardën e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes për Doganat, Ministrinë e Shëndetësisë etj etj. Në secilin nga këto lote të tenderimit ishte përcaktuar fondi limit dhe çfarë do të blihej.

Të dyshuar të tjerë në hetim
Gjithashtu, burimet zyrtare konfirmuan se hetimet janë zgjeruar edhe tek shumë persona të tjerë që janë nën hetim, për të cilët në ditët në vazhdim do të zbardhen pozicionet e tyre në këtë tenderim. Sipas prokurorisë, tre zyrtarët e institucioneve shtetërore Murati, Imami dhe ndërmjetësi Popesku, dyshohet se kanë konsumuar veprat penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" të kryer në bashkëpunim, ndërsa tre biznesmenët Berberi, Sadiku dhe Gjergjefi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të "Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim.

LOTET E TENDERIT
Loti 1: Blerje Këmisha për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë Burgjeve dhe Doganave,
fondi limit: 13 756 811 lekë

Loti 2:Blerje "Grada e Simbole për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve dhe Doganave,
fondi limit: 6 887 126 lekë.

Loti 3: Blerje Kostume për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Doganave,
Fondi limit: 79 816 732.33 lekë.

Loti 4: Blerje Bluza,Pulovra, Triko për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve, dhe Drejtorinë e Doganave,
Fondi limit: 10 826 017 lekë

Loti 5: Blerje Xhupa, Xhakovenda, Pardesy për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave,
fondi limit: 13 500 104 lekë.

Loti 6 : Blerje Rripa për Gardën e Republikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave,
fondi limit: 1 687 917 lekë.

Loti 7: Blerje Doreza, Kravata, Shalle për Ministrinë e Mbrojtjes, Gardën e Republikës, Burgjeve, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me fond limit
3 687 285 lekë.

Loti 8: Blerje Peshqirë, Çarçafë,Batanije për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Gardën e Republikës, me fond limit 13 756 811 lekë

Loti 9: Blerje uniforma pune për Drejtorinë Riparim, Furnizim Tiranë dhe Gardën e Republikës me fond limit 903 333 lekë.

Loti 10: Blerje uniforma për Ministrinë e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile me fond limit
3 000 000 lekë.

Loti 11: Blerje uniforma, për Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve me fond limit
2 500 000 lekë.

Loti 12: Blerje veshmbathje për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë me fond limit
1 000 000 lekë

Loti 13: Blerje Uniforma Sportive për Shkollën Kombëtare të Futbollit "Loro Boriçi", Shkollën Kombëtare të Futbollit, Repartin 712 FNSH Tiranë dhe Repartin RENEA me
fond limit 4 816 667 lekë

Loti 14: Blerje veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës, Ministria e Shëndetësisë,
fondi limit: 28 625 536 lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›