Gjykata Kushtetuese pranoi 75 lëndë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar gjithsej 75 lëndë gjatë periudhës 2 shkurt deri më 1 shtator 2009. Kështu bëri të ditur sot kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili paraqiti para gazetarëve raportin e punës që nga themelimi i këtij institucioni.
Nga këto lëndë, 34 kanë të bëjnë me pretendime të shkeljes së të drejtave të garantuara me aktin më të lartë juridik të vendit dhe një lëndë është paraqitur nga zëvendëskryetari i Komunës së Prizrenit.
Me funksionalizimin e Sekretarisë së Gjykatës, më 1 shtator, pranë këtij autoriteti janë dorëzuar 40 kërkesa, të gjitha këto të paraqitura nga individët, saktësoi Hasani.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka njoftuar se në janar të vitit të ardhshëm pritet të shqyrtohet edhe kërkesa e paraqitur nga Mimoza Kusari-Lila e që ka të bëjë me respektimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Po në janar, kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka paralajmëruar edhe shqyrtim të masës së përkohshme për Radio Televizionin publik të Kosovës, përmes të cilës masë është pezulluar parapagimi për këtë medium përmes faturave të energjisë elektrike.