Djali i dehur ekzekuton nënën
Dashamir Biçaku
Djali në gjendje të dehur vret me breshëri automatiku në kokë nënën e tij 58-vjeçare dhjetë ditë pasi i kishte vdekur babai. Autori i krimit i bëri rezistencë policisë në momentin, kur uniformat blu shkuan për ta arrestuar. Dile Prendi 58 vjeçe, nga Puka, banuese në fshatin Prush të Tiranës ka mbetur viktimë e një breshërie me armë zjarri. Ajo është qëlluar nga djali i saj Viktor Prendi, 38 vjeç. Krimi ndodhi dje në mbrëmje në banesën e familjes Prendi në fshatin Prush rreth 2 km në jugperëndim të Kombinatit. Shkak për krimin në familje, mësohet të jetë bërë një grindja familjare për motive ende të paqarta mes nënës dhe djalit. Por burime të policisë pohuan për gazetën "Panorama", se konflikti ka lidhje me vdekjen e babait të Viktorit dhe bashkëshortit të Diles. Ngjarja e djeshme ka ndodhur rreth orës 19:00, në një banesë që ndodhet një lagje larg fshatit Prush, fare pranë pyllit të zonës. Sipas burimeve të policisë krimi ndodhi në brendësi të banesës, kur djali 38-vjeçar ka filluar të grindet me nënën. Djali mësohet se ka qenë i dehur, në kohën kur ka nisur të grindet me nënën e tij. Një prej shkaqeve të mundshme për ngjarjen, sipas burimeve të policisë mendohet se ka qenë konsumi i një sasie të konsiderueshme alkoolike nga autori krimit. Nëna e tij, Dilja, sipas burimeve të policisë mësohet se e ka qortuar djalin për këtë, ndërsa situata në familje pas vdekjes së të atit ishte acaruar dukshëm. Në grindje e sipër, djali 38-vjeçar ka marrë automatikun dhe ka nisur të bërtasë me të madhe në korridorin e banesës. Ai ka mbushur armën dhe me breshëri ka qëlluar në drejtim të nënës, ndërsa gruaja e moshuar është shembur përdhe, për shkak të plagëve të marra. I biri ende mbante armën në dorë kur policia është njoftuar nga fqinjët dhe menjëherë është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Grupet e gatshme dhe patrullat e Komisariatit nr.6, kanë gjetur në banesë vrasësin e nënës, i cili nuk dorëzohej dhe kërcënonte efektivat blu. Drejtuesit e policisë, kanë nisur të negociojnë me 38-vjeçarin, ndërsa është kryer edhe rrethimi i banesës në një rreze të gjerë. Vrasësi nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka mundur të largohet në një distancë prej rreth 500 metrash nga banesa ku edhe është rrethuar nga policia për herë të dytë. Aty ai nuk ka mundur të gjejë rrugë tjetër dhe ka ndaluar ndërsa policët e Komisariatit nr.6 e kanë prangosur. Më pas ekzekutori i nënës është dërguar në ambientet e policisë ku është marrë në pyetje nga hetuesit. Ekspertët në vendin e ngjarjes, kanë kryer veprimet hetimore, duke administruar rreth 7 gëzhoja të armës së krimit. Gjithashtu, hetuesit kanë marrë dëshmitë e pjesëtarëve të tjerë të familjes Prendi. Blutë kanë pritur mbrëmë për të marrë në pyetje të arrestuarin, derisa ai ka dalë nga gjendja e dehjes, duke qenë se kur kreu krimin ai kishte konsumuar sasi të madhe alkooli.