“Hib” dhe hepatiti B, “ngec” programi për vaksinat
Vaksina “Hib” për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe ajo e hepatitit B për adoleshentët, do të nisnin zbatimin në popullatë me të hyrë ky vit. Këtë parashikon programi kombëtar i imunizimit. Ministria e Shëndetësisë premtoi aplikimin e këtyre vaksinave, duke e zgjeruar gamën e tyre 10% çdo vit deri në 2013. Por burime të sigurta nga ky dikaster pohuan për gazetën se akoma nuk është përcaktuar asnjë afat për nisjen në praktikë të programit. Madje, ato nuk kanë mbërritur ende në Shqipëri. “Nuk është përcaktuar asnjë datë konkrete se kur do të nisë aplikimi i vaksinës ‘Hib’ për fëmijët dhe asaj të hepatitit B për adoleshentët”, sqaruan burime nga Ministria e Shëndetësisë. Ata pohuan gjithashtu se nuk bëhet fjalë për anulim të këtij projekti, por thjesht për vonesa procedurale. Por përkundër kësaj janë më shumë se dy vjet që krerët e shëndetësisë caktojnë vitin pasardhës për vënien në praktikë të projektit të imunizimit, e gjithnjë ky proces shtyhet për atë që vjen pas. Edhe në shkurt të vitit të kaluar ministria premtoi se brenda disa muajsh do të niste aplikimi i tij, çka nuk ndodhi. Vaksina “Hib” është ndër më të rëndësishmet për parandalimin e vdekshmërisë foshnjore. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit, ajo është e efektshme në 95% të fëmijëve, çka do të thotë që pothuajse të gjithë janë të mbrojtur prej sëmundjeve të rënda respiratore. Tek ne ky grup sëmundjesh zë vendin e parë si shkaktar i vdekjeve tek të porsalindurit, që është edhe më e larta në të gjithë Evropën. Çdo vit minimalisht diagnostikohen rreth 800 raste të tilla, ndërkohë që humbin jetën rreth 80 prej tyre. Pjesa më e madhe i përkasin grupmoshave nga 1-5 vjeç. Vaksina “Hib” është efektive edhe ndaj meningjitit. Sëmundja e rrezikshme lë pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve, edhe në rastet kur ata mbijetojnë prej saj. Një e treta e të vegjëlve, pas prekjes nga meningjiti, paraqesin çrregullime të vazhdueshme si paraliza, vonesë në zhvillimin mendor, shurdhëri apo çrregullime të të mësuarit. z.ll
Strategjia e Vaksinimit
Aplikimi i vaksinës së Hib në fillim të vitit 2009
Kontrolli i Hepatitit B në moshat
18 vjeç
Testimi i grave shtatëzëna për hepatitet virale.
Ndërtimi i strategjisë kombëtare të kontrollit të hepatiteve.
Aplikimi i vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012.
Futja e vaksinës pemumokoksike në vitin 2010.