Vrasja dhe djegia e taksistit, rrëzohet pista e grabitjes
Hetimi në vendin ku u ekzekutua taksisti Ramazan Hyka, i cili u gjet i djegur në afërsi të liqenit të Farkës, hedh poshtë pistën sipas të cilës krimi ka ndodhur për grabitje. Një pistë e tillë ishte në lojë që në momentet e para të ngjarjes, por dje hetuesit verifikuan me imtësi vendin ku u gjet 50-vjeçari i djegur bashkë me makinën e tij. Aty janë gjetur gjurmë të celularit, orës, sendeve personale dhe shumave monetare, çka tregon se vrasësit nuk kanë pasur për qëllim grabitjen e viktimës. Këqyrja e vendit të ngjarjes aty ku makina e Ramazan Hykës është djegur bashkë me trupin e viktimës, ka zbardhur detaje dhe elementë të rinj mbi mekanizmin e krimit, megjithëse autorët e kësaj vrasje të sofistikuar e gjakftohtë mbeten ende mister.
Hetimi
Për shkak se të enjten ekspertët e policisë mundën të kryejnë veprime në vendin e krimit, ngase kufoma u zbulua në orët e mbrëmjes kur zona mbulohej nga errësira, skena e krimit është ruajtur me policë dhe është verifikuar ditën e djeshme. Hetuesit kanë mbërritur aty në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe kanë nisur kryerjen e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Verifikimi ka nisur aty ku ndodhej i djegur tërësisht automjeti i markës “Mercedez-Benz” 190, me targa TR 2321 J, që i përkiste viktimës. Specialistët kanë konstatuar se pjesë të trupit të viktimës ndodheshin në bagazhin e makinës thuajse të shkrumbuara. Po ashtu edhe rrobat dhe sende të tjera të 50-vjeçarit Ramazan Hyka, ishin djegur tërësisht nga flakët. Ato që kanë arritur t’i shpëtojnë flakëve, që siç duket janë ushqyer me benzinë, kanë qenë vetëm disa sende metali.
Skena e krimit
Në skenën e krimit është konstatuar se makina ishte lënë me pamje nga veriperëndimi, në një rrugë me baltë që përdoret nga fshatarët e Farkës për të shkuar në rezervuarin e zonës. Ekspertët kanë shkruar në procesverbalet e tyre se nga makina nuk kishte mbetur asnjë pjesë e tij, përveç skeletit metalik gjysmë të shkrirë nga zjarri. Hetuesit kanë qëndruar për më se dy orë në vendin ku ka ndodhur vrasja e taksistit. Pasi kanë përfunduar tërësinë e veprimeve hetimore, si këqyrjet autoteknike të mjetit, matje dhe fotografime, ekspertët kriminalistë kanë kryer një verifikim në detaje të mënyrës si ka mbërritur makina në vendin ku është braktisur bashkë me kufomën. Nga këqyrja në vendngjarje, ekspertët kanë konfirmuar se trupi i 50-vjeçarit ka qenë i lidhur në brendësi të bagazhit, ku edhe i është vënë zjarri duke u djegur. Specialistët kanë gjetur mbeturina qesesh dhe ngjitës natribani, çka i ka bërë të dyshojnë se viktimës mund t’i jetë mbyllur goja dhe kokën t’ia kenë lidhur me qese para vrasjes, duke e futur më pas në bagazh që të mos shikonte asgjë.
Vrasja
Ekzekutorët duket se i kanë mbyllur gojën dhe sytë viktimës, edhe për shkak se donin t’i hiqnin mundësinë të kërkonte ndihmë, çka mund të bëhej shkak për britma që dëmtonin aksionin kriminal të vrasjes. Rreth orës 13:00, ekspertët dhe hetuesit kanë përfunduar kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes. Një fadromë ka arritur të nxjerrë makinën e gjendur në një rrugë dytësore të fshatit, me qëllim lëvizjen e saj për në ambientet e policisë, ku do të verifikohet përsëri me hollësi nga hetuesit. Këta të fundit dyshojnë se vrasësit e kanë marrë Ramazan Hykën si taksist duke u hequr si klientë të tij, madje dyshohet se ata e kanë njohur viktimën, pasi ky i fundit duket se fillimisht nuk ka pasur asnjë dyshim për fundin që e priste. Mësohet se para vrasjes, për herë të fundit, taksisti ka kontaktuar me një dëshmitar të hetimit, duke i thënë se ishte në punë me automjetin e tij pranë Shkollës së Baletit dhe se do të nisej për në Farkë. Gjithçka ka ndodhur më pas është e qartë. Pasi kanë dalë nga Tirana vrasësit i kanë mbyllur gojën dhe sytë viktimës, e kanë futur në bagazh dhe me të mbërritur në Farkë dyshohet se e kanë qëlluar në kokë me armë zjarri dhe më pas i kanë vënë flakën makinës, në bagazhin e të cilës ndodhej kufoma e 50-vjeçarit. Duket se terreni me baltë nga shiu ka penguar lëvizjen e makinës për në liqenin e Farkës, pasi autorët sipas hetuesve kanë dashur të zhdukin gjithçka nga krimi.
Policia: Viktima pati konflikt me kolegët 1 muaj para vrasjes
TIRANE – Disa kolegë të taksistit të vrarë në Farkë kanë qenë personat e parë që janë verifikuar nga policia për implikim të mundshëm në ekze-kutimin e Ramazan Hykës. Ky i fundit mësohet se rreth një muaj më parë ka pasur një konflikt me kolegët e tij taksistë. Një mosmarrëveshje kjo që hetuesit e policisë kanë nisur ta vlerësojnë si shkak të mundshëm për vrasjen e 50-vjeçarit Ramazan Hyka. Sipas të dhënave të siguruara nga policia, mësohet se ka qenë një përplasje mes viktimës dhe një grupi taksistësh të licencuar, të cilët veprojnë në rrugën e Elbasanit. Një fakt i tillë për ekzistencën e konfliktit mes Ramazan Hykës dhe kolegëve të tij të licencuar është pohuar nga disa fqinjë të viktimës dhe nga vetë hetuesit e policisë. Madje për këtë fakt hetuesit kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit një grup taksistësh të zonës, me të cilët viktima ka qenë në konflikt pasi ushtronte aktivitetin pa licencë të mirëfilltë taksisti. Pasi kanë marrë në pyetje disa nga taksistët që janë konfliktuar me viktimën, hetuesit e policisë kanë hedhur poshtë këtë version, duke qenë se nuk ka gjetur përfshirje të tyre në krim. d.b
Akuza: Vrasja, një krim i sofistikuar
TIRANE – Hetimet e policisë së kryeqytetit në vendin ku është vrarë Ramazan Hyka janë drejtuar nga një prokuror i gatishmërisë në organin e akuzës. Mësohet se ai ka qenë i pranishëm gjatë verifikimit të vendit të ngjarjes dhe nxjerrjes së kufomës të viktimës si dhe veprimeve të tjera. Prokurori ka asistuar edhe pyetjen e dëshmitarëve, persona me dijeni për ngjarjen apo të afërm të viktimës. Ndërkaq dje të gjitha materialet hetimore paraprake që janë hartuar nga policia lidhur me vrasjen e 50-vjeçarit janë përcjellë në Prokurori për vlerësim ligjor. Në dosje përfshihen raportet e vendit të ngjarjes, ekspertimet, dëshmitë si dhe një sërë të dhënash të tjera. Sipas burimeve nga Prokuroria, pasi është bërë vlerësimi i të gjitha këtyre provave dhe materialeve, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se ekzekutimi i Ramazan Hykës përbën një krim të sofistikuar të kryer nga persona gjakftohtë, që kanë pasur për qëllim fshehjen e gjurmëve. Pasi ka bërë vlerësimin e provave që ndodhen në dosje, Prokuroria ka urdhëruar oficerët e policisë që të vazhdojnë më tej me marrjen në pyetje të personave të afërt të viktimës. Ata mësohet se kanë qëndruar për disa orë në ambientet e policisë, ku janë marrë në pyetje nga katër oficerë gjyqësorë të angazhuar me hetimin e ngjarjes. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se gjatë deklarimeve të tyre, të afërmit e viktimës janë pyetur nëse ai kohët e fundit ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, konflikt apo paralajmërim për vrasjen. Grupi i hetimit më pas ka vazhduar me marrjen e deklarimeve nga të afërmit e viktimës lidhur me aktivitetin e 50-vjeçarit, personat me të cilët ai punonte si dhe me marrjen e të dhënave të tjera në interes të zbardhjes së ngjarjes. Zyrtarët e organit të akuzës kanë konfirmuar se hetimi i vrasjes ende paraqitet i vështirë për shkak të mungesës së provave, që nuk mundësojnë ende përqendrimin në një pistë konkrete. tr.so
Prokuroria urdhëron zbardhjen e listës së telefonatave të Hykës
TIRANE - Prokuroria e Tiranës, e cila ka marrë dje në mbrëmje materialet e para hetimore për ngjarjen e vrasjes së taksistit Ramazan Hyka, ka kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonike të thirrjeve që janë kryer nga telefoni i taksistit Ramazan Hyka dhe anasjelltas në drejtim të tij. Një veprim i tillë, sipas burimeve të policisë, është kryer me qëllim gjetjen e personave të fundit që kanë komunikuar me taksistin mbrëmjen e 7 janarit 2009, kur ai u zhduk në mënyrë të papritur nga sheshi përpara Shkollës së Baletit, për një rrugë në drejtim të Farkës. Prokuroria në urdhrin e saj është përcaktuar në zbardhjen e telefonatave që janë bërë në orët kur mendohet se taksisti është nisur nga vendqëndrimi i tij i zakonshëm në rrugën e Elbasanit për në drejtim të Farkës, ku edhe u gjet i vdekur pasi është qëlluar me armë dhe është djegur në automjetin e tij me të cilin 50-vjeçari punonte si taksist. Zbardhja e telefonatave të fundit të viktimës qofshin ato që mund të ketë bërë vetë ai apo thirrjet hyrëse nga persona të tjerë, pritet të sqarojnë disa momente kyçe të ngjarjes. Nëse viktimës i është kërkuar shërbimi taksi me telefon nga personat që e kanë çuar drejt Farkës dhe më pas e kanë vrarë, sipas policisë identifikimi i telefonuesit nuk paraqitet i vështirë, veçse kërkon kohë për zbardhjen e telefonatave.
Telefonata e fundit me gruan: Po dërgoj një pako në Farkë
Bashkëshortja e Ramazan Hykës ka qenë personi i fundit që sipas policisë ka komunikuar me taksistin përpara se ai të humbte përfundimisht gjurmët.
Hatixhe Hyka, mësohet se u ka pohuar të afërmve të saj, por edhe hetuesve në polici, se kishte komunikuar në telefon me Ramazanin rreth orës 20:00 të mbrëmjes së mërkurë, kur edhe u zhduk pa lënë gjurmë duke mos u kthyer as në shtëpi. “Po shkoj të dërgoj një pako në Farkë. Nuk vonoj, kthehem shpejt”, mësohet të ketë qenë teksti i përafërt i bisedës gjatë telefonatës së viktimës me bashkëshorten 40-vjeçare Hatixhe Hyka. Të afërmit e taksistit, dje kanë dhënë dy versione për shkakun e largimit të tij drejt Farkës. Versioni i parë është ai sipas të cilit Ramazani, baba i dy fëmijëve, ka qenë duke udhëtuar për në Farkë për të dërguar një pako. Varianti i dytë, që vjen nga i njëjti burim, është ai sipas të cilit Ramazan Hyka ka qenë duke dërguar disa pasagjerë në drejtim të Farkës, çka sipas burimeve të policisë mund të jetë edhe më e mundshme. Kjo për faktin se ai atje u gjet i vrarë nga persona që mund t’i jenë ofruar atij si klientë për taksi për të udhëtuar në Farkë, me qëllim që të realizonin krimin pasi të çonin viktimën me makinën e tij deri në vendin e ngjarjes.
Dëshmitarët
Drejtuesit e policisë së Tiranës pasi kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, janë orientuar për të gjetur sa më shumë dëshmitarë të mundshëm që të ndihmonin në identifikimin e autorëve të vrasjes. Duke qenë se sendet personale të viktimës janë gjetur në automjet, policia ka ngritur si pistë atë të hakmarrjes, për shkak të përfshirjes së taksistit në një histori femrash. Një fakt të tillë, të afërmit e tij e kanë hedhur poshtë kategorikisht gjatë deklarimeve që kanë dhënë në polici, ku janë pyetur për shkaqet pse mund të ketë ndodhur vrasja. Madje fqinjët dhe të afërmit e viktimës, kanë pohuar se ai ishte një familjar i rregullt dhe që kurrë nuk ishte përfshirë në histori të tilla. Sipas tyre, Ramazan Hyka punonte si murator gjatë paradites dhe mbrëmjeve mundohej të gjente ndonjë klient me taksi për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për jetesën. Kështu dëshmia e parë dhe më e rëndësishme për policinë, ka qenë ajo e bashkëshortes së viktimës, e cila është personi i fundit që ka komunikuar me taksistin. Më tej hetuesit kanë shoqëruar gjithashtu më tepër se 20 persona në polici për verifikime. Sipas burimeve zyrtare, në polici janë shoqëruar disa banorë të zonës, mes të cilëve familjarë të shtëpive fare pranë vendit të ngjarjes. Ata janë pyetur nëse kanë parë apo kanë dëgjuar diçka në kohën kur besohet se ka ndodhur vrasja e taksistit, apo nëse kanë parë makinën që po shkonte në vendin ku u gjet e shkrumbuar. Persona të tjerë që janë shoqëruar janë disa banorë që kanë në pronësi tokën ku është gjetur makina e djegur si dhe disa të tjerë që kanë telefonuar policinë, duke lajmëruar për ngjarjen e ndodhur në Farkë. Pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre, dëshmitarët e shoqëruar janë lënë të lirë, pasi policia nuk ka gjetur prova që i përfshinin në ngjarje.