E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarët e Aldo Bares më “arrestuan” për kokën e Artur Dajës

 

Trazhgim Sokolaj & Armand Bajrami

Për shkak të moshës së thyer, dëshmitari që rrëfeu dje në gjyqin e “Bandës së Lushnjës”, nuk mund të qëndronte gjatë në këmbë. Ai megjithatë nuk kishte harruar se si anëtarët e “Bandës së Lushnjës” i kishin vrarë djalin në vitin 1998. I ulur në një karrige përballë pesë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, Ramazan Zeneli tregoi në seancën e djeshme gjithçka dinte për vrasjen e djalit të tij Nimet Zeneli dhe për ngjarjet ku ka mbetur i vrarë vëllai i Alfred Shkurtit, Ramadan Shkurti, si dhe Genci Kashari. Dëshmitari solli në kujtesë edhe episodin kur u “arrestua” nga ushtarët e Aldo Bares, që e kërkuan në Komisariatin nr.2, njësi paralele e krijuar nga “Banda e Lushnjës”, vetëm sepse kishte marrë pjesë në një bisedë ku ishte folur për kokën e prerë të Artur Dajës. Një veprim që, sipas akuzës, Aldo Bare e bëri si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Ramadan Shkurti, gjatë përplasjeve të armatosura në Lushnjë. Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm asnjë prej të pandehurve, ndërsa Ramazan Zeneli i cilësoi Arben Boriçin dhe Enver Dondollakun si ekzekutorët e djalit të tij. Sipas dëshmisë, vrasja e Nimet Zenelit ka ardhur vetëm nga fakti se ai ishte shok i Gramoz Selmanit dhe Genci Kasharit. Në seancë dje ishin prezentë edhe dy dëshmitarë të tjerë, Halit Paja dhe Musa Hakia, të cilët për shkak të lidhjeve farefisnore me të pandehurit nuk kanë pranuar të dëshmojnë. Më poshtë publikohet e plotë dëshmia e Ramazan Zenelit e paraqitur në gjykatë lidhur me ngjarjen e 13 shkurtit 1998, kur Enver Dondollaku, numri dy i “Bandës së Lushnjës” dhe krahu i djathtë i Aldo Bares, vrau Nimet Zenelin.
Dëshmia
“Jam banor i lagjes ‘18 tetori’ Lushnjë, jam pensionist. Kam pasur 4 fëmijë. Aktualisht kam tre, pasi njërin, pikërisht Nimetin ma kanë vrarë në muajin shkurt të vitit 1998 në fshatin Kolonjë të rrethit Lushnjë. 
Kam denoncuar edhe më parë për vrasjen e djalit tim Nimetit, por tani paraqitem për të dëshmuar më hollësisht për këtë vrasje dhe për një ngjarje tjetër, që unë e kam parë vetë drejtpërsëdrejti në vendin ku ka ndodhur dhe konkretisht: Ka qenë viti 1997 dhe data ekzakte nuk më kujtohet, por duhet të ketë qenë o muaji qershor apo korrik i atij viti. Duhet të ketë qenë rreth orës 12:00 kur unë së bashku me dhëndrin Izetin dhe vajzën Shazon ishim duke ndenjur në kuzhinë. Papritmas dëgjojmë të shtëna armësh. Menjëherë unë së bashku me dhëndrin ngrihemi dhe dalim jashtë për të parë se ç’kishte ndodhur. Në këtë moment unë pashë në një distancë 20-30 metra Alfred Shkurtin, i cili mbante një armë automatike në dorë dhe po ikte me vrap në drejtim të rrugës që të çon për te Gjykata e Rrethit. Në të njëjtën kohë unë pashë një makinë veturë ngjyrë gri, si tip nuk e dalloja dot, e cila ishte e ngjitur ballë për ballë me një skodë tip SAUREL. Brenda në veturë ishin dy persona të vrarë, shoferi dhe një person tjetër në sediljen e parë të pasagjerit me trup të varur, gjysmë të dalë jashtë, pasi dera ishte e hapur. Megjithëse unë i pashë këta persona të vrarë në makinë, u nisa e shkova menjëherë te lokali, sepse dikush aty na tha që është edhe një i vrarë apo plagosur në lokal. Futem brenda në lokal dhe aty shikoj një person të gjakosur dhe të shtirë në dysheme. Sapo e pashë e njoha që ishte Genci Kashari. Meqenëse ky person ishte djalë i lagjes dhe shok i Nimetit e lëviza për të parë se mos ishte gjallë dhe t’i jepja ndihmë, por pashë se ky kishte vdekur dhe në gojë, e kam të fiksuar, kishte një copë bukë. Dua të sqaroj se kur e lëviza pashë që rrobat dhe në gjoks ishin të gjakosura dhe të shpuara. Pasi u binda që Genci kishte vdekur, unë kam dalë jashtë lokalit dhe drejtohem tek vetura ku ishin dy personat e tjerë të vrarë. Kur mbërrita pashë që aty kishte edhe persona të tjerë që po shikonin. Për momentin nuk njihja asnjë nga personat e vrarë, por dëgjova që njëri nga këta ishte djali i Idai Shkurtit, Ramadani, ndërsa tjetri ishte me mbiemrin Rabia. Kur unë isha duke parë, pothuajse ngjitur me kufomën e Ramadanit, aty afrohet Artur Daja me një pistoletë në dorë. Kur arriti afër meje Arturi më kapi nga krahu e më tha: “Largohu, se këta qentë deshën të më vrisnin”. U drejtoi pistoletën dhe qëlloi me nga një të shtënë çdo kufomë. Në këtë moment unë i them Arturit që të largohej e të mos merrej me të vdekurit. Në këtë kohë aty pranë kalon Arben Boriçi. Arturi sa e pa i tha: Arben, sot kam punë me këta, nesër me ty. Arbeni nuk tha asnjë fjalë, por menjëherë u fut mes lagjes dhe se ku shkoi nuk e di.
Më pas unë u largova dhe shkova në shtëpinë e Genci Kasharit për ngushëllim. Ndërsa për vrasjen e djalit tim Nimetit kam për të thënë se këtë vrasje e kanë bërë pjesëtarët e grupit të Fredi Shkurtit dhe pikërisht Ilir Stergu, Arben Boriçi dhe Enver Dondollaku.
Nga e dini ju se djalin tuaj Nimetin e kanë vrarë personat që përmendët?
Në lidhje me vrasjen e djalit tim dua të sqaroj, se në lagjen ku banoj ka qëndruar edhe Genci Kashari, për të cilin deklarova dhe më sipër. Genci Kashari dhe Gramoz Selmani kanë qenë shokë me djalin tim Nimetin dhe kujtoj që Nimeti u hidhërua shumë për vrasjen e Gencit, gjë të cilën ma shprehu edhe vetë në atë kohë. Fredi Shkurti duke ditur këtë lidhje të djalit tim Nimetit me Gencin e Gramozin dhe faktin që unë isha një nga personat që e kisha parë me sytë e mi vrasjen e Ramadan Shkurtit, ka qenë një ndër arsyet që grupi i tij vrau djalin tim.
Ka qenë ditë e shtunë, datë 28.02.1998. Unë Ramazan Zeneli shkova në pazarin e Bubullimës për të blerë disa gjëra për shtëpi. Kur ika për pazar, djali im Nimeti u nis për në Vlorë për të blerë çimento. Bashkë me të do të shkonin edhe dy shokë të tij, Masar Aliu nga Fieri dhe Gramoz Selmani nga Lushnja. Unë u ktheva nga pazari për në shtëpi rreth orës 10:00. Pas një ore më vjen në shtëpi një banor i lagjes time, emrin e të cilit nuk e di, por di që është djali i Xhafo Jeshilit dhe më tha se një nga djemtë e tu e kanë plagosur në fshatin Kolonjë. Menjëherë u ngrita dhe u nisa për të parë nëse ishte në spital. Sapo arrita aty, pyeta tek urgjenca nëse kishte ardhur njeri i plagosur. Ata më thanë që nuk kishte shkuar njeri. Më pas u largova nga spitali, mora një taksi dhe u nisa për në fshatin Kolonjë. Pa arritur në fshatin Savër, ballë përballë meje vinte një makinë me drita ndezur dhe po ecte me shpejtësi drejt Lushnjës. Duke menduar se në këtë makinë mund të ishte djali im Nimeti i plagosur, ktheva taksinë dhe e shoqëruam këtë makinë deri në spital. Kur mbërrita në spital gjeta trupin e djalit të vdekur në morg. Bëra veprimet në spital, mora kufomën dhe e çova në shtëpi.
Mbasi kreva ritet e varrimit të djalit, pas një jave unë shkova tek shtëpia e Masar Melit në fshatin Zhupan të Fierit, për të mësuar prej tij se si kishte ndodhur vrasja e Nimetit. Në shtëpi nuk e gjeta Masarin, pasi kishte dalë, por aty takova Gramoz Selmanin, i cili qëndronte i fshehur nga frika e hakmarrjes nga grupi i Fredi Shkurtit. Aty ishte edhe vëllai i Masarit dhe nëna e tij. Emrin e vëllait nuk e kujtoj, por kam fiksuar se ishte çalaman. Në prezencë të këtyre Gramozi më tha: Ishim duke udhëtuar nga Lushnja drejt Vlorës të tre së bashku, unë Gramozi dhe Nimeti, ndërsa Masari ishte në timon dhe drejtonte mjetin. Para lokaleve në Kolonjë, në rrugën nacionale, para makinës sonë kamionçinë e tipit “Toyotya” me ngjyrë të bardhë, na dolën tre persona të armatosur me automatikë në dorë. Personat e armatosur njiheshin nga ne të tre si pjesëtarë të grupit të Fredi Shkurtit dhe këta ishin Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Enver Dondollaku. Sapo i pamë të armatosur Masari tentoi të kthente makinën në drejtim të Lushnjës. Në momentin që Masari po manovronte të kthente makinën të tre personat e sipërpërmendur qëlluan me automatik njëherësh mbi ne. U thyen xhamat e makinës. Nimeti, që ishte në vendin e parë të pasagjerit hapi derën dhe doli jashtë dhe u largua me vrap në drejtim të fushës. Unë Gramozi u fsheha poshtë makinës, e cila ishte e ndaluar, ndërsa Masari me vrap mundi të shpëtonte dhe mori drejtimin e fushave nga Fieri. Kur këta po i ndiqnin me vrap Nimetin me Masarin, në një moment rreth 150-200 metra nga vendi ku isha unë pashë që Nimeti u rrëzua në një kanal. Sa u rrëzua, personat e sipërpërmendur shkuan dhe e goditën me armë në kokë e në trup. Kur këta po merreshin me Masarin dhe Nimetin unë dola nga poshtë makinës dhe me vrap mora nga mali”.
Mbas kësaj bisede u ktheva në shtëpi.
Pas këtij takimi unë brenda një muaji kam takuar dhe dy herë të tjera Gramoz Selmanin në Fier në një lokal dhe i kam kërkuar që ta denonconte këtë ngjarje në polici, por ai nuk pranoi duke më thënë se “nuk kam besim dhe kam frikë se ky grup do më vrasë edhe mua, siç vranë Nimetin’.
Dua të sqaroj se në afërsi të vendit ku ndodhi vrasja e Nimetit  në fshatin Kolonjë, ndodhet shtëpia e burrit të motrës sime, të quajtur Skënder Kaja. Dy-tri ditë pas vrasjes së Nimetit, në shtëpi më erdhi vajza e Skënderit, mbesa ime e quajtur Mira dhe më tha: “Dajë, ditën që është vrarë Nimeti unë po vija nga puna për në shtëpi. Kur mbërrita te porta pashë që tre vetë po shtinin me armë mbi një njeri, në një kanal afër shtëpisë tonë. Kur këta po shtinin mbi këtë person, një person tjetër po ikte me vrap nëpër fusha. Mbasi e vranë këtë person, këta persona kaluan afër gardhit të shtëpisë tonë. I pashë dhe kam fiksuar që në dorë mbanin automatikë. Nga këta njëri ishte i gjatë dhe i hollë, ezmer, ndërsa dy të tjerët ishin më të shkurtër dhe shëndet mesatar. Ishin të veshur me uniformë policie që të tre. Kur dolën në rrugën kryesore nën kërcënimin e armëve ndaluan një furgon taksi të Fierit, zbritën pasagjerët dhe hipën në të dhe me forcë e detyruan shoferin të merrte drejtimin e Manastirit të Ardenicës. Kur u larguan këta erdhi babai Skënderi dhe menjëherë shkoi tek personi i vrarë dhe kur shkoi aty pa që ai ishte Nimeti”. 
“Arrestimi”
Me sa më kujtohet duhet të ketë qenë muaji tetor i vitit 1998. Unë isha duke u kthyer me karrove nga tokat që kam në pronësi për në shtëpi. Në vendin e quajtur “Ura e Institutit” ishin ulur në bordurë dy veta, konkretisht Agim Haliti nga lagjja “18 Tetori” dhe kujtim Licka nga Lushnja. Kur unë po kaloja këtu Agimi më thotë: “Zbrit të pimë nga një cigare”, por unë i them se do të iki, pasi më kishte shkuar vonë. Mbas shumë të luturave unë zbrita dhe ndeza nga një cigare me ta. Gjatë bisedës që ne po bënim aty vjen djali i Sedat Lickës, të cilit emrin nuk ia di, por e njoh si fytyrë. Sapo erdhi ai na thotë që “a e morët vesh se kokën e Artur Dajës po e shëtitin nëpër Lushnjë pjesëtarët e grupit të Fred Shkurtit”, por nuk përmendi emra konkretë. Unë nuk thashë asnjë fjalë, menjëherë u ndamë me njëri-tjetrin dhe unë shkova në shtëpi. Sapo mbërrita në shtëpi, ora duhet të ketë qenë rreth 19:00, isha duke ndenjur në dhomë, i vetëm, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes ishin te shtëpia e djalit tjetër të quajtur Myzafer. Në këtë kohë futen në dhomë dy persona të armatosur me automatikë në dorë, që unë i njoha. Ishin Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, të cilët më kërcënuan dhe më urdhëruan që unë të shkoja me ta. Unë i pyeta se ku do të shkonim? Ata më thanë që do të vish në Komisariatin e Policisë nr.2, sepse të kërkon kryetari Fredi Shkurti. Unë u them se unë di që ka vetëm një komisariat policie në Lushnjë dhe nuk vij te kryetari juaj. Ata më thanë se po nuk erdhe me dëshirë do të marrim me forcë. Në debat e sipër unë u them se “Ç’punë kam unë me Fredi Shkurtin, kryetarin tuaj?”. Të dy, Iliri dhe Arbeni më thanë që nuk ke punë ti me të, por ka ai me ty, se ty nuk të rri gjuha rehat. Duke parë këmbënguljen për të mos ikur Arbeni dhe Iliri dolën nga dhoma dhe hipën në një makinë që ishte tek porta bashkë me disa persona të tjerë, të cilët nuk i dallova se ishte errësirë.
Nga e njihni ju Alfred Shkurtin, Arben Boriçin dhe Ilir Stergun?
Alfred Shkurtin unë e njihja shumë mirë si djalin e Iadi Shkurtit. Gjithmonë kur vija e merrja pensionin e shihja që rrinte aty përpara dhe ne si pensionistë bisedonim me njëri-tjetrin se ky është djali i Idaiut, që ka punuar në polici dhe që njëkohësisht kishte edhe shtëpinë aty afër ku ishte pallati i degës.
Arben Boriçin e njihja se ky ishte komshi me vajzën time të quajtur Shaze, të martuar me Izet Kurtin dhe ma kishte treguar vajza nga larg.
Ndërsa Ilir Stërgun e njihja se kisha punuar disa vjet në komunale me xhaxhain e tij të quajtur Ramiz Stërgu. Herë pas here Iliri vinte dhe e takonte dhe këtu Ramizi atë ma kishte prezantuar si nipin e vet.
Përse nuk keni deklaruar më parë për vrasjen e Ramadan Shkurtit dhe Genci Kasharit?
Nuk kam deklaruar për vrasjen e Ramadanit dhe Gencit sepse kisha frikë prej grupit të Fredi Shkurtit, se më vrisnin mua dhe fëmijët e tjerë. Tani me kapjen e Fredit kam besim se drejtësia do të vihet në vend.

Dëshmitarët frikë nga banda e Aldo Bares
TIRANE – Pjesa dërrmuese e dëshmitarëve që po paraqiten në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të rrëfyer episodet kriminale të “Bandës së Lushnjës”, janë persona të cilët edhe pse kanë qenë të afërm të viktimave, nuk kanë arritur të dëshmojnë dhe as të denoncojnë në polici para se kapoja i bandës të arrestohej. Sipas burimeve të Policisë dhe Prokurorisë, dëshmitë e personave që po rrëfejnë në gjykatë në procesin aktual kundër “Bandës së Lushnjës”, janë marrë në gjysmën e dytë të vitit 2006, pasi botërisht u bë me dije se kapo i “Bandës së Lushnjës” ishte arrestuar nga policia turke në kryeqytetin e këtij vendi në Ankara. Në deklarimet e tyre, dhjetëra dëshmitarë janë shprehur se edhe pse ishin të afërm të viktimave, edhe pse kishin parë nga afër dhe fare qartë skenat e krimeve makabre të ndodhura në Lushnjë, nuk kishin denoncuar dhe nuk kishin dëshmuar nga frika dhe rreziku që u kanosej prej “Bandës së Lushnjës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›