E Diel, 1 Nëntor 2026

Punë të mbarë Ina Rama

Brisida Gjikondi 

Berisha nuk toleron asnjë  Prokuror...?!! Ky ishte titulli dhe lajmi i ditës së djeshme. Lajm i cili godet me vare gjithë aspiratat e profanëve të fundmë për një shtet të së drejtës në Shqipëri. Për së pari, pavarësisht bindjes së brendshme për vërtetësinë e lajmit para se të shkruaja këto rreshta, riverifikova me saktësi prononcimin e Kryeministrit të vendit tim dhe besova e kuptova që ai nuk është një Kryeministër, por tamam- tamam ai është një Zeus. Ai është prototipi i variantit “shkele kalo” ai shkel kudo dhe këdo, ai s’do t’ia dijë për shtetin, Kushtetutën, pavarësinë e pushteteve dhe respektimin e tyre. Me sulmin e radhës kundër Prokurorisë, ai “theu në mes” gjithë dinjitetin dhe besueshmërinë ndaj Organit të Akuzës. Ai shkelmoi brishtësinë e këtij organi dhe stimuloi mbarë shkelësit e ligjit dhe i thirri dhe ata në tufëzimin e tij antishtet. Ju bëri thirrje që të shtonin vjedhjet, grabitjet, përdhunimet, vrasjet, ai thjeshtësisht i orientoi dhe sqaroi se ata që mund të procedonin kundrejt tyre në emër të ligjit janë të inkriminuar, të politizuar dhe të paaftë, ndaj reputacioni dhe “frika” kundrejt këtyre njerëzve të ligjit duhet të jetë inekzistente. Rikujtoj dhe nënvizoj se ai që u prononcua është Kryeministri shqiptar. Ai guxoi t’i hakërrehej “Silvia Kontit” duke e paralajmëruar dhe akuzuar për politizim të hetimeve ndaj llahtarit të Gërdecit dhe vrimës së zezë korruptive të tenderit të rrugës Kukës-Morinë. Ai i dha një mesazh të qartë asaj dhe gjithkujt tjetër që kërkon qoftë dhe tërthorazi ta bezdisë në Kryqëzatën e tij antishtet. Dhe guximi s’i erdhi krejt papritur këtij trimi shqipfolës. Jo! Kjo trimëri e lindur i mori hov të madh mbas ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve të ligjit të Prokurorisë, ndryshime të cilat ia ofroi në pjatë të florinjtë politika e kompleksuar dhe mëkatare e Partisë Socialiste, pjatë e cila ish pjesë e pazareve të parashkruara përtej të majtës dhe të djathtës, por jo përtej monopoleve të ndërtimit dhe zhbllokimit të KRT-ve, që kanë të bëjnë kryekëput me interesa materialiste të një kaste korruptive, por kurrsesi me një shtet gjeografikisht në Europë, që i shkoi jeta dhe historia duke aspiruar të anëtarësohet aty ku fizikisht është. Personalisht kam qenë skeptike për performancën dhe fuqinë ekzekutive të Kryeprokurores kundrejt një shteti të kapur dhe politike mëkatare, e cila do të përpiqej që medoemos “Silvia Kontin” ta tufëzonte dhe shndërronte me kombësi shqiptare. Personalisht guxoj të rimeditohem e ta justifikoj Kryeprokuroren për realitetin dhe terrenin ku i duhet të eci. Por miqësisht do çmoja shumë që Kryeprokurorja të kish patur dhe të ketë më guxim dhe dinamizëm në procedimin ndaj kaposhëve me imunitet politik. Kryeprokurorja s’ka pse t’i delegojë përgjegjësitë dhe kërkojë ndihmë pa reshtur faktorit ndërkombëtar për të hetuar çka ndodh në Shqipëri, ajo duhet të guxojë të shprehet qartë dhe hapur në vetën njëjës kundrejt çdo ambicie që kërkon ta nënshtrojë, ajo duhet të krijojë dhe imponojë staturën e saj kushtetuese. Askush, as Berisha dhe as Edi Rama s’mund të mbyllin mëkatet dhe as të ulin e ngrenë pazaret me simbolin e shtetit të së drejtës, Kryeprokurorja kurrsesi s’duhet t’ua lejojë ajo si përket më vetvetes, por shpresës dhe kurajos sonë mbarëpopullore. Punë të mbarë zonja Kryeprokurore, gjithsesi mbas gjithë kësaj lufte dhe prerje në besë nga politika mafioze, Ju duhet të ndjeheni moralisht e pavarur dhe punoni natyrshëm me shumë, shumë kurajo. Po ta bëni të jesh e sigurt se do çmoheni e do të mbeteni në historinë e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›