Djali i ish-deputetit të PD-së kërkon liri me kusht
Gjykata e Tiranës ka regjistruar kërkesën për lirim me kusht të Ervin Tavanxhiut, djali i ish-deputetit të PD-së, Kozma Tavanxhiut. Ai është dënuar për trafik droge dhe është arrestuar në kuadër të operacionit "Poter-al". Numri i çështjes është 1783 dhe është regjistruar disa ditë më parë. Sipas kërkesës, Ervin Tavanxhi pretendon se përfiton nga dënimet alternative, pasi e ka kryer ¾ e dënimit dhe mund të përfitojë nga shërbimi i provës. Në vitin 2006 dhjetëra persona në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Vlorës janë vënë në pranga pas një operacioni të koduar me emrin "Poter-Al", i cili është zhvilluar njëkohësisht në të katër qytetet e lartpërmendura dhe ku morën pjesë 32 forca policore. Ndër personat e arrestuar ishte edhe Ervin Tavanxhi nga Tirana, djali i një ish-deputeti të Partisë Demokratike. Ndaj tyre rëndonin akuzat e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe organizim, drejtim e financim të grupit të strukturuar kriminal. Hetimet kanë filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas informacioneve të ardhura prej Prokurorisë së Firences në Itali, sipas së cilës, personat në fjalë kishin kryer trafik droge në zonën e Toskanës dhe Lombardisë në vitet 2003-2004. Gjithashtu, grupi në fjalë ka kryer edhe trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania, Franca e Shqipëria në drejtim të Italisë.
S.Ç.
S.Ç.