"Politikanët pasurohen në kurriz të vendit"
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka lëshuar dje një mesazh të fortë ndaj politikës. Gjatë një interviste të dhënë gazetarit Adi Krasta në emisionin "E Diell" në "Top Channel", ish-kreu i shtetit shqiptar, iu referua periudhës së Rilindjes Kombëtare për ta marrë si model të devotshmërisë së figurave të kombit. Ish-presidenti Moisiu theksoi se "në kohën e Rilindjes Kombëtare të mëdhenjtë e kombit shkrinë pasurinë e tyre për vendin, ndërsa sot pos shikojmë se politikanët po e shkrijnë vendin për t‘u pasuruar". Ish-kreu i shtetit shqiptar deri në vitin 2007, ka bërë apel ndaj shoqërisë shqiptare për të luftuar plagët e mëdha që i rëndojnë vendit. Sipas Moisiut "korrupsionin ende nuk po e luftojmë aq sa duhet, pasi me këtë virus është infektuar edhe rinia duke kërkuar që të pasurohet shpejt". Duke iu referuar marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, ish-presidenti i republikës ka theksuar se kjo marrëveshje ka shumë hije, por ka deklaruar se zyrtarët e shtetit nuk kanë vepruar siç duhet. "Po të isha unë në krye të shtetit do të veproja ndryshe. Ata që e menaxhuan këtë marrëveshje nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Unë kam qenë në krye të ushtrisë shqiptare disa herë, si ministër, si zv/ministër apo edhe si President, por nuk e kisha dëgjuar kurrë se nuk kishim marrëveshje për kufirin detar me Greqinë", tha Moisiu. Gjykata Kushtetuese vendosi para pak ditësh që të pezullojë procedurat e ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar. Institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar më datën 8 dhjetor do të mblidhet për të shqyrtuar ankesën e Partisë Socialiste, e cila e ka cilësuar si antikushtetuese këtë marrëveshje që është nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, dhe nga ish-ministrja greke, Dora Bakojanis. Gjatë intervistës së djeshme në "E Diell", ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, foli edhe për çështjen e shumëdiskutuar të liberalizimit të vizave. Sipas ish-kreut të shtetit shqiptar, barrierat ndaj shqiptarëve kanë qenë një veprim jo i drejtë në një botë që po i heq kufijtë. Megjithatë, ish-presidenti ka theksuar se kjo çështje po keqpërdoret shumë nga politika. Moisiu shtoi se heqja e vizave për Shqipërinë tashmë është një çështje ku duhen plotësuar kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Z.Moisiu, nesër mbush 80 vjeç dhe me këtë rast, redaksia e "E Diell" i dhuroi një buqetë me 80 trëndafila.