E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu në Gjykatë për pasurinë e të atit

Skënder Shehu kërkon për herë të parë të marrë pasurinë që i kanë lënë prindërit. Bashkimi, djali më i vogël i ish-kryeministrit nuk është përfshirë në padinë civile

Laureta Rryçi

Tiranë - Trashëgimtari i ish-kryeministrit Mehmet Shehu i kërkon Gjykatës pasurinë e të atit. Skënder Shehu ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për dëshmi trashëgimie. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se padia i është nënshtruar dje procedurës së shortit elektronik duke përcaktuar gjyqtarin Agim Bendo për të gjykuar kërkesën civile. Ish-kryeministri Shehu ka tashmë vetëm dy djem, Bashkimin dhe Skënderin, mirëpo asnjëri prej tyre nuk mund të gëzojë pasuritë e lëna nga prindërit pa kryer më parë një proces civil në Gjykatë. Për momentin mësohet se kjo nismë është ndërmarrë vetëm nga njëri prej djemve, Skënderi, i cili, me sa duket, do të dokumentojë pasurinë e prindërve. Një nga arsyet për të dokumentuar edhe trashëgiminë mësohet se është dhe fakti për të aplikuar për dëmshpërblim në Ministrin e Drejtësisë për shkak të keqtrajtimit që i është bërë nënës së tyre, Fiqretes. Kjo e fundit, pas vdekjes së bashkëshortit, me urdhër të diktatorit Enver Hoxha, u burgos dhe u torturua për ditë me radhë derisa gjeti vdekjen në qelitë e burgut.
Padia
Padia për dëshminë e trashëgimisë është përgatitur nga njëri prej djemve të Mehmet Shehut, Skënderi, i cili kërkon lëshimin e trashëgimisë ligjore për të ndjerët prindër të tyre, Mehmet e Fiqrete Shehu. Sipas kërkesës së depozituar në Gjykatën e Tiranës, kërkuesi Skënder Shehu deklaron se nga aktet e lëshuara nga zyra e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake Nr. 4 vërtetohet se më 18.12.1981 ka vdekur babai i tij Mehmet Shehu, i cili, si të vetmit trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë ka lënë nënën e tyre, Fiqrete dhe tre djemtë; Vladimir, Skënder dhe Bashkim. Në vitin 1982 ka vdekur vëllai i tyre i madh, Vladimiri, i cili si të vetmit trashëgimtarë të radhës së parë ka lënë gruan, Fatbardha Shehu, dhe dy vajzat, Edlira dhe Blerta Shehu. Në vitin 1988 ka vdekur nëna e tyre, Fiqrete, e cila si trashëgimtarë të radhës së parë ka lënë dy djemtë, Skënder dhe Bashkim Shehun dhe dy mbesat, Edlira e Blerta Shehu, që janë vajzat e djalit të saj të madh të vdekur, Vladimirit. Në kërkesën e tij Skënderi deklaron se as babai dhe as nëna e tij nuk kanë pasur fëmijë të tjerë jashtë martese apo të birësuar dhe se nuk kanë lënë asnjë testament. Në fund të kërkesës, Skënder Shehu kërkon lëshimin e trashëgimisë ligjore.
Pasuria
Gjykata do të vendosë njëherë e mirë për të marrë në posedim pasurinë e lënë nga ish-kryeministri i vendit Mehmet Shehu dhe bashkëshortja e tij. Nuk dihet ende se cilat janë pasuritë që mund të jenë listuar në kërkesën e Skënder Shehut. Me këtë kërkesë fillimisht do të njihet gjyqtari i çështjes dhe më pas do të përcaktohet data për nisjen e këtij procesi civil. Zakonisht këto procese zgjasin rreth dy muaj, por mund të mbyllen edhe më shpejt.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›