Vodhën sende hekuri tek ish-Uzina Mekanike, vendoset në arrest adoleshenti
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë ndaluar dje 17-vjeçarin Saimir Lloshi, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 6 të këtij qyteti, pasi ndaj tij ekzistonte një vendim për dhënie mase sigurie të arrestit me burg nga gjykata. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim më shumë se një herë”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal. Kjo pasi ky person, më datën 20 korrik 2008, në bashkëpunim edhe me disa shtetas të tjerë, në Lagjen 17 të Korçës dhe konkretisht tek ish-Uzina Mekanike, kanë vjedhur disa sende të ndryshme hekuri. Bëhet e ditur ndër të tjera se 17-vjeçari figuron të jetë dënuar edhe njëherë tjetër për veprën penale të vjedhjes.
Grabiti në një maune pak ditë më parë, arrestohet i dyshuari
Korçë – Një grabitje e ndodhur para pak javësh është zbardhur dje nga policia e Korçës, e cila njoftoi arrestimin e një personi që e cilëson si të dyshuarin e krimit. Mihal Nikolla, lindur në fshatin Blacë të Pogradecit dhe banues në qytetin e Pogradecit, ishte shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, në muajin maj 2009, ka vjedhur me dhunë një shofer mauneje në unazën e qytetit Pogradec. Gjatë kësaj grabitjeje, i arrestuari i sotëm dhe “kolegët” e tij, i kanë rrëmbyer viktimës së tyre gjithë çka kishte, 200 euro, një orë dore dhe një aparat celulari.
5 Qershor 2009