"Qafë-Gjashta", vëllai i policit ndryshon dëshminë
TIRANE - Genci Blushi, vëllai i Myzafer Blushit, njëri prej policëve që u sulmua me armë në mars të 1997 në ngjarjen e njohur si masakra e "Qafë Gjashtës", dëshmoi dje te Krimet e Rënda. Ai ka qenë jo më larg se 5 metra nga makina e vëllait të tij në momentin e ngjarjes, dëshmitari i djeshëm tha nuk kujtonte detaje të sakta për ngjarjen. Para togave të zeza ai tha se nuk i njihte personat që ishin në makinë me vëllain e tij dhe se vdekjen e efektivit Gjergji Mehmeti e kishte marrë vesh disa ditë më vonë. E gjendur përballë kujtesës së "mjegullt" të dëshmitarit, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për leximin e deklarimeve të tij para oficerit të Policisë Gjyqësore. Në deklarimet e dhëna në 20 janar të vitit 2007, dëshmitari Genci Blushi kishte pohuar se në mars të 1997-ës ai ishte nisur nga Orikumi i Vlorës ku jetonte drejt Gjirokastrës, për të marrë atje një kushërirë të vetën. "Në qafën e Llogarasë takuam vëllain tim, Myzafer Blushin, që punonte në policinë e Vlorës. Ai po shkonte në Sarandë me disa kolegë për nevoja të punës së tij. Rrugën e bëmë bashkë deri në Sarandë. Makinat tona ecnin njëra pas tjetrës". Po sipas deklarimit, pas një qëndrimi të shkurtër në Sarandë, ku edhe kanë takuar një person të njohur, të dy automjetet janë nisur sërish drejt Vlorës. "Pa mbërritur te karburanti pranë Qafës së Gjashtës, unë pashë që makina e vëllait tim u ndalua nga persona të armatosur. Unë hapa krahun dhe qëndrova. Pashë që nga makina e Myzaferit doli personi që rrinte tek vendi i pasagjerit përpara. Ai i hoqi armën njërit prej personave dhe e futi në makinë", thuhej në deklarim. Ndërsa kanë vijuar udhëtimin, pranë një karburanti në Qafën e Gjashtës dy automjetet janë gjendur nën breshërinë e armëve të një grupi të madh njerëzish që kishin bllokuar rrugën. Në deklarimin e dhënë një vit më parë, dëshmitari pohonte se duke shfrytëzuar çoroditjen e turmës nga një bombë tymuese të hedhur prej policëve ka braktisur makinën dhe është larguar, si edhe kishte ndenjur i fshehur për disa orë në një zonë me shkurre. Në një pritë të armatosur në Qafë Gjashtë në 4 mars 1997 u vra dhe më pas u dogj efektivi i Vlorës, Gjergji Mehmeti. Për ngjarjen e 4 marsit 1997 në Qafë Gashtë akuzohen 10 persona të pandehur për mbajtjen peng për disa ditë dhe torturimin e ish-policit Eduard Aliaj. ar.ba