E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali plagos babain pas konfliktit për pronën



ELBASAN - Një sherr për motive pronësie, mes babait dhe djalit, ka degjeneruar në përdorimin e dhunës. Një 20-vjeçar ka goditur me sende të forta të atin, duke e lënë të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan dhe, sipas policisë, autor është shtetasi Bledar Baholli. “Ky shtetas, banues në lagjen “Sulë Papri”, për motive pronësie ka goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime, babain e tij 54-vjeçar”, - thanë burimet e policisë së Elbasanit. Sipas tyre, 54-vjeçari është dërguar në spitalin e qytetit, ku, pasi ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar djalin e akuzuar për ushtrimin e dhunës. Mësohet se ndaj tij ka nisur hetimi në gjendje të lirë. Konfliktet për çështje pronësie prej vitesh kanë shkaktuar një numër të madh viktimash. Një numër i konsiderueshëm rastesh kanë qenë edhe brenda familjes.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›