Gjykata Kushtetuese, i mbaron mandati Gjergji Saulit
Tiranë - Mbaron mandati i njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kësaj radhe është Gjergji Sauli, të cilit i duhet të heqë dorë nga detyra e tij për shkak të moshës. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur për të njohur zyrtarisht mbarimin e mandatit para festës së ndërrimit të viteve. Sipas procedurës, Sauli do të zëvendësohet nga një emër që do të përzgjidhet nga Presidenti. Sauli, me Dekretin Nr. 3020, datë 21.05.2001, të Presidentit të Republikës, është emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese për një periudhë prej 9 vjetësh. Sipas Nenit 127, pika 1/c e Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur mbush moshën 70 vjeç. Gjergji Sauli është i datëlindjes 27.12.1938. Pra, në datën 27.12.2008 ai mbushi moshën 70 vjeç dhe, për rrjedhojë, po në këtë datë i mbaron mandati i gjyqtarit të kësaj Gjykate. Në pikën 2 të Nenit 127 të Kushtetutës përcaktohet se mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të saj. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese çmon se mandati për z. Gjergj Sauli duhet të deklarohet i mbaruar për shkak të mbushjes së moshës. Meqenëse vendi i tij mbetet vakant, Presidenti i Republikës, në bazë të Nenit 127, pika 3 e Kushtetutës, emëron, me pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë, një gjyqtar të ri, i cili fillon detyrën me përfundimin e mandatit të gjyqtarit Gjergj Sauli, që përkon me datën 21.05.2010.
6 Janar 2009