Katër gjyqtarë padisin KLD-në në Gjykatën e Lartë
Laureta Rryçi
Tiranë - Katër gjyqtarët që janë ndëshkuar së fundmi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për ta shfuqizuar këtë vendim. Tre prej tyre, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, u etiketuan pak kohë më parë si gjyqtarët që favorizuan biznesmenin Mihal Delijorgji. Ndërsa gjyqtarja e katërt Mirela Mishgjoni pësoi të njëjtin fat duke u përjashtuar nga radhët e Gjyqësorit për shkak të shkeljeve të konstatuara. Paditë e gjyqtarëve u përcaktuan të gjykohen gjatë ditës së nesërme nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Këto padi, kur gjyqtarët i drejtohen Gjykatës së Lartë për të rimarrë statusin që u takonte, nuk janë të parat. Megjithëse një pjesë prej tyre ka mundur ta fitojë procesin edhe në Gjykatën Kushtetuese, sërish KLD-ja nuk i ka zbatuar ende këto vendime.
Padia
Gjykata e Lartë nesër duhet të shprehet në lidhje me vendimet më të fundit të KLD-së. Katër gjyqtarët që janë ndëshkuar në dy mbledhjet e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kanë qenë dakord me vendimin e marrë nga ky i fundit për largimin e tyre nga Gjyqësori pas viteve të tëra eksperience. Duke respektuar dhe ligjet në fuqi, ata i janë drejtuar menjëherë Gjykatës së Lartë si të vetmes shkallë të Gjyqësorit që ua lejon Kushtetuta për t’u ankuar për vendimin që është marrë ndaj tyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë do të përcaktojë edhe nëse KLD-ja ka vepruar drejt që ka lënë në fuqi propozimet për masa ndëshkuese të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Shkarkimet
Ministri i Drejtësisë gjatë vitit që lamë pas i ka propozuar KLD-së disa emra gjyqtarësh për masa ndëshkuese. Gjyqtarët, pasi janë njohur me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, janë drejtuar më pas në Gjykatën e Lartë. Kryesisht masat e propozuara nga ministri Enkelejd Alibeaj kanë qenë për shkarkim nga detyra duke i përjashtuar një herë e mirë këta gjyqtarë nga Gjyqësori.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë vitit 2008, ka ndërmarrë një sërë masash disiplinore duke ndëshkuar jo pak “toga të zeza”. Një numër gjyqtarësh janë marrë në procedim disiplinor gjatë vitit 2008 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kuadër të luftës kundër korrupsionit brenda sistemit të Drejtësisë. Për disa prej tyre, KLD-ja ka marrë masën e shkarkimit nga detyra, ndërsa për të tjerët pritet të thotë fjalën e fundit në fillim të vitit të ardhshëm. Procedimet disiplinore për ta janë kërkuar nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, pas kontrolleve të ushtruara në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, ku grupet e inspektimit kanë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore. Ndër masat e marra nga KLD-ja përmenden shkarkimet nga detyra të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Vlorë, Vasil Hanxhara dhe Gjinovefa Gaba, me motivacionin se kanë cenuar integritetin e Gjyqësorit, si dhe ndaj tre gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”.
Emrat e gjyqtarëve që janë në pritje për shqyrtim nga KLD-ja
Ndërkohë, të tjera dosje janë në pritje në zyrat e inspektorëve për t’u dërguar në Këshill për masa disiplinore. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh, për të cilët ministri i Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e tij dhe pritet të kalojnë për diskutim në Këshill. Në një nga mbledhjet e fundit të KLD-së u tha se shqyrtimi për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Murat Lleshi, ndaj gjyqtares të Gjykatës së Apelit Vlorë, Meme Rexha, ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, Alaudin Malaj, do të bëhet në një nga mbledhjet që do të realizohen gjatë këtij muaji. Këta gjyqtarë, që pretendohet se janë gjetur me shkelje në dosjet që kanë gjykuar, nuk punojnë vetëm në gjykatat e Tiranës, por edhe në ato të rretheve. Si procedurë, fillimisht propozon ministri i Drejtësisë për masën që gjykohet se duhet të merret ndaj gjyqtarit dhe më pas kalohet për diskutim apo votim nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, Inspektorati i KLD-së ka nisur jo pak herë inspektimet kryesisht pas rasteve të denoncuara nga media.
Në mbledhjen e KLD-së, që u zhvillua më 24 tetor 2008, vazhdoi shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë Mirela Mishgjoni dhe, në përfundim, vendosi që ndaj kësaj gjyqtareje të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.
Në mbledhjen e KLD-së, që u zhvillua më 28 tetor 2008, u shqyrtua procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar) Shaqir Gradica dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.
Po në këtë mbledhje u shqyrtua procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar) Ylli Minka dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.
E njëjta procedurë u ndoq në shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar) Naun Pejo dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.
6 Janar 2009