E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Hetimet e Gërdecit mund të zgjasin tre vjet



Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se hetimet për dosjen “Gërdeci” mund të kërkojnë rreth tre vite për shkak të elementeve komplikuese që paraqet kjo çështje. Hetimet mund të kërkojnë më shumë kohë lidhur me pistën e trafikimit të armëve. Ndërsa në lidhje me demontimin dhe shkeljet e tjera në ish-fabrikën e Gërdecit, dosja pothuajse është ezauruar dhe në mars pritet dërgimi për gjykim i kësaj pjese të ezauruar të dosjes. Pak kohë më parë, gazeta “Albania” informoi se një pjesë e krerëve dhe drejtuesve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, që janë nën hetim nga prokuroria (për dosjen “Gërdeci”), në javët e para të vitit 2009 do ta gjejnë veten nën akuzë për përgjegjësinë e tyre ndaj skandalit që tronditi Shqipërinë më 15 mars. “Në hetim janë një pjesë e mirë e ish-drejtuesve të Shtabit dhe jo vetëm. Shkalla e implikimit të tyre ndryshon. Nga konkluzionet e deritanishme janë vërejtur elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës për disa drejtues të Shtabit. Për këto vepra do të ketë komunikim akuze porsa të ezaurohen të gjitha procedurat që lypen për të kaluar në komunikimin e akuzës”, - i tha pak kohë më parë “Albania”-s një burim nga prokuroria. Por i njëjti burim ka saktësuar se konkluzionet e deritanishme janë bazuar në të dhëna dhe dokumente procedurale të rëndësishme që vërtetojnë veprimin dhe mosveprimin e tyre në kundërshtim me ligjet e vendit lidhur me dosjen “Gërdeci”. Burimet nga organi i akuzës nuk pranuan të saktësojnë emra konkretë që rrezikojnë komunikimin e akuzave në javët e para të vitit 2009. Por përveç ushtarakëve, që janë aktualisht nën hetim dhe që rrezikojnë komunikimin e akuzave, ka edhe civilë që janë po ashtu nën hetim dhe që deri tani janë gjetur fajtorë për veprimet ose mosveprimet e ndërmarra prej tyre. Të tillë janë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe disa personazhe që kanë patur lidhje me firmën kontraktore “Albademil” apo persona që kanë qenë protagonistë në aktivitetin që është ushtruar në Gërdec. Aktualisht, prokuroria është fokusuar në hetimin intensiv të linjës së trafikimit të armëve. Gazeta “Albania” ka publikuar dhe më parë ekskluzivisht informacion lidhur me aktivitetin tregtar të biznesmenit të dyshuar për trafikun e municioneve në Gërdec dhe Rinas. Por të dhënat flasin për një labirint të vërtetë firmash me bazë në Qipro dhe Afrikë, ndërsa zoti Delijorgji rezulton thjesht një administrator i këtyre firmave.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›