E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes rrënojave gjenden dëshmitë

Në duart e prokurorëve mbërrijnë hyrjet dhe daljet e municioneve, si dhe bilancet financiare të firmës Albademil. Ndërkohë bnga krateri dëgjohen ende të shtëna

TIRANË - Vetëm tri ditë më parë, grupi i prokurorëve që po heton rreth shpërthimit të Gërdecit mundi të shtjerë në duar “As”-a të mirë për hetimin e tyre, nga të cilët pritet që të zbardhen shumë nga detajet e funksionimit të fabrikës së “vdekjes” dhe gjithçka tjetër që, jozyrtarisht, të paktën dyshohet se kryhej aty.

Sipas burimeve të gazetës “Korrieri”, mësohet se në afërsi të kraterit të krijuar, në vendin kur deri 10 ditë më parë ishte fabrika e çmontimit të municioneve, u gjetën fletë-hyrjet dhe fletë-daljet e sasive të municioneve, si dhe urdhër-pagesat dhe hyrje-daljet e llogarive financiare të kësaj fabrike. Lajmi u konfirmua dje edhe nga burime zyrtare të grupit hetimor, të cilët saktësuan se gjetja e dokumenteve me mjaft vlerë për hetimin u bë gjatë pastrimit së zonës së infektuar dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes.

Ndërkohë, një tjetër “gjetje” me vlerë e shpëtuar rastësisht në vendin e shpërthimit, ishte edhe harta me planimetrinë e fabrikës së Gërdecit. Përcaktimi i vendeve të punës sipas proceseve, i depove të municioneve të ndryshme dhe mënyra e organizimit të punës, kjo jo vetëm sipas hartës së gjetur, por edhe bashkangjitur me deklarimet e dëshmitarëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, punëdhënës e punëmarrës të shpëtuar nga vdekja, pritet që të ndihmojë jo pak në punën shkencore dhe eksperimentet e mundshme që do të bëhen për të përcaktuar skemën e tragjedisë dhe momentin kur dhe sesi “i ra flaka” e tragjedisë Gërdecit dhe zonës së Vorës.

Por ajo çka në fakt i bëhet zhurmë më pak, por që ka vlerë për hetimin, mbetet dhe gjetja e “librit” të financës së kësaj fabrike. Po të njëjtat burime informimi i bënë me dije dje “Korrierit”, se tashmë janë në duart e grupit të posaçëm të prokurorëve të krijuar për të hetuar ngjarjen e rëndë të Gërdecit edhe faturat e hyrje-daljeve financiare të kësaj fabrike. Këto fatura financiare së bashku me gjetjen e faturave të hyrje dhe daljeve të sasive të municioneve janë padyshim pika të forta të hetimit të organit të akuzës, i cili duket se ka gjetur “çelësa” të mirë për të zbardhur ngjarjen e rëndë që u kushtoi jetën 22 personave dhe la të plagosur rreth 300 persona të tjerë. Krahasimet e këtyre faturave dhe “bilanci” ekonomik që do t’i bëhet në një lloj mënyre “Albademil”-it, pritet që të hedhë më shumë dritë në gjithçka ndodhte brenda fabrikës së çmontimit të “fshehur” pas tri ish-kodrave të Gërdecit.             

10 ditë shpërthime

Gërdeci edhe gati 10 ditë nga momenti fatal i shpërthimeve të municioneve dhe barutit, bëhet arenë shpërthimesh të tjera. Fatmirësisht, në sasi shumë më të vogla dhe pa dëme në njerëz. Sipas burimeve të gazetës “Korrieri”, pothuajse çdo ditë ka pasur shpërthime të vogla, sidomos në zonën e kraterit, dhe dy ditë më parë ka pasur një shpërthim të fundit, që dyshohet se u shkaktuar nga një sasi baruti që kishte mbetur pa u djegur. Shpërthimi më i vogël nuk shkaktoi pasoja dhe po sipas të njëjtave burime, mësohet se shkak i shpërthimit mund të ketë qenë një lloj baruti mjaft i veçantë, i cili mori flakë dhe shkaktoi shpërthimin më të fundit. Ndërkohë që burime ushtarake i thanë dhe në ditët e mëparshme “Korrierit”, se pothuajse çdo ditë ka pasur shpërthime të vogla dhe shumë të pakrahasueshme me shpërthimet e mesditës së 15 marsit tragjik.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›