Dje vendimi: Qeveria kompenson pagesat e legalizimeve
Shtyhen afatet e përdorimit të bonove të privatizimit, kush ka paguar në lekë, 70% të vlerës mund ta shlyejë me letra me vlerë.
Legalizimet, vetëm 10 ditë kohë për pagesat me bono.
Qytetarët që kanë paguar për legalizimin e objekteve informale në pronësi të tyre me para në dorë dhe nuk kanë përfituar nga ndryshimet që u bënë më vonë, ku si opsion pagese u fut edhe bonoja e privatizimit, mund të përfitojnë tani. Qeveria, në një vendim të ditës së djeshme, përcakton se të gjithë këta qytetarë mund të bëjnë një kërkesë për të paguar me bono privatizimi pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t. Pagesa me bono do të bëhet sipas pikave që sanksionohen në ligj, duke marrë të rimbursuar në lekë pjesën e parave që kanë paguar. Qeveria duket se ka ripërsëritur edhe një herë këtë procedurë, e cila u aplikua në vitin 2010 dhe ku qytetarëve iu la një afat 3-mujor për të përfituar.
Vendimi
Në vendimin e qeverisë përcaktohen edhe procedurat që duhet të ndiqen për të përfituar, duke nisur nga kërkesa e deri te pagesa dhe paraqitja e vërtetimit të saj pranë ALUIZNI-t. Drejtoritë e ALUIZNI-t në qarqe njoftojnë me shkrim përfituesit për hapjen e llogarive bankare dhe vlerën monetare për të cilën përfitojnë rimbursim. Personat që përfitojnë janë të detyruar të bëjnë pagesën me bono privatizimi të vlerës së rimbursueshme dhe të dorëzojnë pranë drejtorive të ALUIZNI-t në qarqe, dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e kësaj pagese, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së njoftimit me shkrim, thuhet në vendimin e qeverisë. Të gjithë ata që nuk kryejnë pagesën brenda këtij 10-ditëshi, e humbasin të drejtën e rimbursimit, kurse për ata që e depozitojnë në kohë vërtetimin, pagesa bëhet brenda 15 ditëve.
Pagesa me bono
Aktualisht ligji përcakton se në rast se parcela që është legalizuar është brenda vijës së verdhë dhe ka sipërfaqe 1-300 m2, ajo mund të shlyhet deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Pra qytetarit do ti rimbursohet kjo pjesë e parave që ka paguar. Kurse për sipërfaqen mbi 300 m2, përdorimi i bonos kufizohet deri në 50% të vlerës. Ndërsa për parcelat jashtë vijave të verdha, pagesa deri në 70% me bono mund të bëhet për sipërfaqet 1-500 m2, pjesa mbi këtë sipërfaqe paguhet vetëm me lekë në dorë. Nga pagesa me bono përjashtohen objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në objekte me leje, për të cilat pagesa e parcelës ndërtimore kryhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe kjo gjithmonë sipas çmimeve të tregut.
500 metra2
Parcelat ndërtimore nën këtë vlerë, që ndodhen jashtë vijave të verdha, mund të paguhen deri në 70% të vlerës me bono privatizimi.
50 per qind
Deri në këtë masë mund të paguhen me letra me vlerë parcelat ndërtimore brenda vijave të verdha, që janë mbi 300 metra katrorë.
PAGESA ME BONO
Brenda vijës së verdhë
Parcelat 1-300 m2, 70% pagesë me bono
Parcelat mbi 300 m2, 50% pagesë me bonoJashtë vijës së verdhë
Parcelat 1-500m2, 70% pagesë me bono
Parcela mbi 500 m2, vetëm pagesë me lekëPërjashtohen nga pagesa me bono
Objektet me orientim social-ekonomik
Shtesat informale në objekte me leje
NERTILA MAHO