Djeg me acid në fytyrë të dashurën e ish-burrit

POGRADEC - Është ndarë nga bashkëshorti i saj prej disa kohësh, por në momentin që ka mësuar se ai po bashkëjetonte me një tjetër, ka vendosur të hakmerret duke i hedhur acid në fytyrë gruas së re. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lin të Pogradecit, ndërsa protagoniste është një 39-vjeçare dhe bashkë me të edhe e bija adoleshente. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e "plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim", si dhe "dhunim banese".
Ngjarja
Burimet bëjnë të ditur se 39-vjeçarja A.Avdullari, banore e lagjes nr.2 të qytetit të Pogradecit, ka pasur një informacion se në fshatin Lin tek shtëpia e ish-burrit të saj kishte shkuar e dashura e tij 27-vjeçarja A.Ll. nga Përrenjasi.
Menjëherë ajo ka marrë me vete vajzën e saj 17-vjeçare dhe janë nisur me një furgon pasagjerësh nga Pogradeci për në fshatin Lin tek shtëpia e ish-burrit të saj. Sapo kanë mbërritur atje 39-vjeçarja i ka kërkuar gruas me të cilën bashkëjetonte tashmë 43-vjeçari Avdullari që të bisedonin.
Por më pas befasisht ajo ka nxjerrë nga çanta një tip acidi dhe ia ka hedhur në fytyrë duke i shkaktuar plagë serioze në fytyrë, të shoqëruara me dhimbje të shumta. Më pas ajo është larguar për në Pogradec së bashku me të bijën.
Policia
Ndërsa ishte e plagosur në fytyrë, 27-vjeçarja është nisur me urgjencë në drejtim të spitalit të qytetit të Pogradecit ku ka qëndruar disa orë duke marrë mjekimin. Sipas mjekëve ajo është jashtë rrezikut për jetën, por me dëmtime serioze në fytyrë, të cilat rrezikojnë që t'i mbeten shenja. Ndërkohë mësohet se ndaj nënë e bijë janë ngritur akuzat e "plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim", si dhe "dhunim banese". Ato do të hetohen në gjendje të lirë.