Greqi, "shkohet në hell" emigranti shqiptar

Policia greke ka ngritur si pistë hakmarrjen, teksa është përqendruar te familja e ish-të dashurës greke, por edhe në ndonjë sherr mes dy grupeve shqiptare
35-vjeçarit iu gjet në kraharor një copë mish i huaj që më pas u saktësua se ishte pjesë e një shufre helli
GREQI - Një shqiptar është shkuar në hell nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja e dhunshme ka ndodhur të premten në ishullin e Kretës, ndërkohë që mësohet se emigranti shqiptar ndodhet i shtruar prej asaj dite në pavionin e urgjencës së spitalit të Hanias.
Bëhet e ditur se ai ka qenë në gjendje të rëndë dhe se në momentin e paraqitjes në spital ka pasur dhimbje të mëdha. Pas ekzaminimeve të kryera nga mjekët është konstatuar se në kraharorin e tij ndodhej një copë "mishi i huaj".
Por pas operacionit është arritur në përfundimin se copa nuk ishte mish, por pjesë e një shufre helli, e futur në kraharorin e emigrantit.
Kanë qenë mediat greke ato kanë bërë të ditur dje ngjarjen e rrallë. Mësohet se të premten, emigranti 35-vjeçar, i cili më pas rezultoi se ishte shqiptar, është paraqitur në spital me dhimbje të mëdha në kraharor ndërsa ka deklaruar fillimisht se ishte i përfshirë në një aksident.
Mjekët: Dhunë e paprecedentë
Teksa kanë parë përkeqësimin e gjendjes së tij, mjekët i kanë bërë të tjera analiza dhe prej tyre kanë gjetur "një copë mishi të huaj" që I kishte mbetur në kraharor. Operacioni ishte ai që tregoi gjendjen e vërtetë të trupit të 35-vjeçarit.
"Pacienti kishte pësuar dëmtime të mëdha në të gjitha organet e brendshme të trupit dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë aksident. Është e qartë që ndaj tij është ushtruar një dhunë e paprecedentë, e cila u pohua më pas edhe ndaj tij", u shpreh përgjegjësi i shërbimit mjekësor të spitalit të Hanias, Jorgo Arhontaki.
Policia: Kemi ngritur dy pista
Ndërkohë, nga ana e policisë greke janë ngritur dy pista për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarit 35-vjeçar dhe atë që kishte ndodhur. Si pistë e parë dyshohet që të ketë qenë një hakmarrje mes dy grupeve shqiptarësh ajo që mund të ketë çuar në një dhunë të tillë, ndërkohë që një tjetër pistë përqendrohet në vajzën që ka dashur shqiptari. Bëhet e ditur se ai ka qenë i lidhur me një vajzë greke nga Kreta dhe familja e saj ka qenë kundër marrëdhënies së vajzës me 35-vjeçarin.
Dyshohet se konflikti mes tij dhe familjes mund të ketë shkaktuar dhunën e paprecedentë. Gjithsesi pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të emigrantit, në mënyrë që më pas ai të merret në pyetje dhe të sqarohen më tej rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.