Djeg pa dashje shtëpinë, rrezikohet nëna e moshuar
KORÇË- Një zjarr aksidental ka djegur tërësisht një shtëpi në një fshat të Korçës duke rrezikuar edhe djegien e nënës së moshuar. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së kaluar në fshatin Dërsnik të rrethit të Korçës dhe shkaktare e zjarit është vajza e shtëpisë. Fadile Metko pa dashur është kthyer në protagoniste të zjarrvënies të shtëpisë së prindërve. Sipas burimeve lokale të policisë së Korçës, mësohet se 64 -vjeçarja Fadile Metko ka shkuar në shtëpinë e nënës së saj për ta parë atë pasi ajo ishte mjaft e sëmurë. Dhe për t’i qëndruar më pranë nënës së saj ajo ka vendosur të gdhijë natën. Ndërprerja e energjisë elektrike gjatë orëve të natës ka detyruar Fadile Metkon të ndezë një qiri në divanin ku lëngonte e sëmurë nëna e saj. Por vetëm pas disa minutash qiriri është rrëzuar duke u përfshirë nga flakët shtrati i të moshuarës dhe krejt shtëpia. E llahtarisur nga situata, në një kohë kur në shtëpi nuk ka pasur persona të tjerë, 64- vjeçarja përmes flakëve ka mundur të shpëtojë së pari nënën, ndërsa nuk ka mundur të shpëtojë shtëpinë. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, pas njoftimit nga disa banorë të fshatit ka nisur hetimet, ndërsa do të hetohet në gjendje të lirë Fadile Metko për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia.