Gjirokastër, pranga të dënuarit me 12- vjet burg
Artan Selima është dënuar nga gjykata e Tiranës për vjedhje me armë, të kryer në bashkëpunim në vitin 1997
GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme një person të dënuar nga gjykata me 12 vjet burg. Burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se 37-vjeçari Artan Selima, lindur dhe banues në fshatin Bënçë të rrethit Tepelenë, është arrestuar pasi qysh prej muajit shkurt të vitit 1998 ai ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit Tiranë me 12 vjet burg për veprat penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”, por që nuk ishte bërë i mundur ndalimi i tij. “Kapja e këtij shtetasi u bë në fshatin Bënçë të rrethit Tepelenë, në momentin që ky shtetas po hynte në banesën e tij”,- kanë bërë të ditur burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet 37-vjeçari Selima ka ndodhur më tre shtator të vitit 1997. Në këtë periudhë, Artan Selima në bashkëpunim me shtetasit Enkel Spahaj dhe Klodian Hoxha kanë grabitur me armë në aksin rrugor rural Progonat– Tepelenë, furgonët e linjës Progonat Tepelenë. “Shtetasit Klodian Hoxha dhe Enkel Spahaj, e kanë vuajtur dënimin në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Nga ana jonë u kryen të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprime të mëtejshme”,- ka theksuar zëdhënësi Gentian Mullai. Gjatë muajve të fundit janë një sërë dosjesh të ngjarjeve të vjetra që janë zbardhur e zbuluar nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.