E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, vatra të reja në Gjirokastër dhe Shkodër

Një bari ka djegur rreth 40 hektarë kullotë në Gjirokastër ndërsa në Shkodër është djegur një banesë njëkatëshe

Ngritja e temperaturave ka rikthyer zjarret në rrethe të ndryshme të vendit. Një zjarr që ka rënë gjatë natës në Gjirokastër ka shkrumbuar rreth 40 hektarë dhe është shuar vetëm pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe banorëve të zonës. Uniformat blu kanë vënë në pranga edhe zjarrvënësin, i cili ishte bari. Ndërkohë një banesë njëkatëshe që shërbente si magazine mallrash të ndryshme është përfshirë nga zjarri në fshatin Shtoj të rrethit të Shkodrës.

Gjirokastër

Mësohet se zjarri ka pasur si vatër fillestare një parcelë me bar në vendin e quajtur Manastiri i fshatit Qesorat, në komunën Lunxhëri. Ka qenë 41-vjeçari Isuf Miftari, i cili punonte si çoban në fshatin Dhoksat ai që i ka vënë në orët e vona të mbrëmjes zjarrin kësaj parcele. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe të madhe dhe menjëherë në vendngjarje kanë shkuar dy automjete të repartit zjarrfikës, forcat e Policisë dhe të Shërbimit Pyjor dhe falë ndërhyrjes së tyre është bërë i mundur shpëtimi i 20 krerëve lopë që ishin duke kullotur në këto parcela si dhe të një ndërtese e pikërisht “ish hangari i duhanit”. Por bëhet e ditur se për shkak të terrenit të vështirë zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë më tej. “Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe kullosore prej 40 hektarësh dhe për këtë arsye ishte e pamundur vënia e tij nën kontroll. Forcat e policisë së bashku me disa banorë të fshatit kanë bërë të mundur që me mjete rrethanore të shpëtojnë disa parcela me vreshta, të cilat ishin shumë afër zjarrit. Në orë e para të mëngjesit, forcat e policisë së bashku me banorët e fshatit Krinë të cilët kanë dalë të gjithë, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit i cili po përparonte në drejtim të pyllit të këtij fshati. Aktualisht zjarri është vënë nën kontroll”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai në lidhje me ngjarjen. Ndërkaq, autori i zjarrit, 41-vjeçari Miftari është arrestuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr.

Shkodër

Pasditen e djeshme, rreth orës 16.40, është shkrumbuar një banesë në rrethin e Shkodrës. Zjarri është shfaqur fillimisht tek disa shkurre rreth 20 metra larg ndërtesës në pronësi të shtetasit Pal Prroni, në Shtoj. Nga shkurret që kanë marrë zjarr nga pakujdesia, zjarri është përhapur në një sipërfaqe jo të vogël dhe i është afruar ndërtesës ku familja Prroni, banuese në Shtoj mbante mallra të ndryshme dhe sende personale si bidonë vere e rakie, ushqim për bagëtinë etj. Sipas burimeve nga fshati Shtoj dhe ekipeve të zjarrfikëseve që kanë shkuar me shpejtësi pranë vatrës së zjarrit, është dëgjuar një shpërthim në afërsi të kanalit ku po digjeshin shkurret dhe kjo ka ndikuar që flaka të përhapet dhe në ndërtesën magazine. Dy mjete zjarrfikëse nga Shkodra, por dhe banorë përreth, kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit për të mos lejuar përhapjen e tij tek shtëpia e Pal Prronit dhe tek disa shtëpi të tjera pranë. Materialet që ndodheshin brenda në magazinën e familjes Prroni janë djegur të gjitha, pasi dhe zjarri është favorizuar nga përbërja e tyre. Shpërthimi i dëgjuar mendohet se ka qenë i ndonjë granate apo municion të hedhur në kanalin pranë shkurreve ku u shfaqfillimisht zjarri. Pas shuarjes së zjarrit, një mjet zjarrfikës ka qëndruar në vendin e ngjarjes për të qenë në gatishmëri në rast të ndonjë riaktivizimi të mundshëm të vatrës së zjarrit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë hetime lidhur me shpërthimin e dëgjuar, por sipas saj kjo do të jetë e mundur vetëm pasi të jetë ftohur plotësisht vendi ku ka rënë zjarri, në mënyrë që të kërkohet për mbetjet e mundshme metalike të objektit që ka shpërthyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›