E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tefik Osmani kalon te Tirana

 

Presidentët Xhani dhe Halili janë takuar gjatë pasdites së djeshme dhe kanë biseduar hollësishtpër kartonin e korçarit

Tefik Osmani vishet bardheblu, ashtu sikurse përflitej në fakt që para ndeshjes me Shiroki Brijegun. Kontrata që ka nënshkruar mbrëmë mbrojtësi korçar me Refik Halilin do të zgjasë 3 vjet, ndërkohë që një shumë e majme, çmimi i kartonit, i vënë nga Xhani, ka përfunduar në xhepin e presidentit të Partizanit. Kësti i parë i kontratës së Osmanit është futur në xhep që mbrëmë nga Xhani, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në favor të mbrojtësit bardheblu tashmë. Gjithçka është zgjidhur mes dy presidentëve respektivë, të cilët, dje, rreth orës 18:00, mësohet se janë takuar pranë vilës "Goldi", pronë e Halilit. Detajet e bisedës nuk bëhen të ditura, megjithatë nga burimet pranë palëve mësohet se takimi është zhvilluar vetëm për kalimin e futbollistit të kuq, Tefik Osmani, në radhët e Tiranës. Refik Halili i është shprehur hapur kolegut të tij se nuk dëshiron të ndërhyjë për lojtarë të tjerë, por i intereson vetëm kartoni i Osmanit. Për shërbimin e korçarit, Halili i ka kërkuar Albert Xhanit të vendosë çmimin, pasi ai është gati për të paguar për kartonin e tij. Akordi mes palëve është arritur, kështu që mbrëmë mbrojtësi korçar ka firmosur për Tiranën. Xhani, me sa duket, po kërkon të përfitojë financiarisht nga transferimi i lojtarëve të kuq, me të cilët ka nënshkruar kontratë në fillim të sezonit. Gjatë fazës përgatitore të verës, disa nga lojtarët kryesorë të Partizanit, Devolli dhe Shkëmbi, nuk ranë dakord me presidentin Xhani për ta vazhduar karrierën me ngjyrat e kuqe. Devolli qe i pari që u shkëput nga Partizani, duke nënshkruar për rivalen tjetër të kryeqytetit, Tiranën. Mirëpo, me sa duket, gjirokastriti nuk do të jetë lojtari i vetëm i kuq që do të vishet bardheblu. Tefik Osmani, i kërkuar me ngulm gjatë merkatos nga Tirana, që mbrëmë është veshur bardheblu. Por ai mund të mos jetë lojtari i vetëm. Kështu si po shkojnë punët në kampin e kuq, sezoni i ri futbollistik do të përballohet nga lojtarët e rinj. Vështirë se Muzaka, por edhe Elis Bakaj, do të qëndrojë te Partizani me këtë situatë të krijuar. Gjergji Muzaka është përfolur prej javësh për t'u veshur bardheblu, por Xhani e ka hedhur në mënyrë kategorike poshtë këtë mundësi. Po dje, gjatë takimit Xhani-Halili, kryedonatori i Tiranës i ka pohuar kolegut të kuq se nuk i intereson asnjë lojtar tjetër i Partizanit dhe nuk do të bëjë ofertë për ta. Situata te Partizani ka ndryshuar shumë shpejt, pas eliminimit në Kupën UEFA nga Shiroki-Brijeg. Xhani ka hedhur akuza të rënda ndaj futbollistëve, që nga ana e tyre pretendojnë se nuk janë paguar prej muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›