E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasha: Isha duke vënë baste kur u vra Sanellari

 
Vrasja e Korçës, i arrestuari mohon krimin e paraqet alibinë por s'mohon të ketë kërcënuar viktimën për borxhin
KORÇË- Personi i arrestuar për ekzekutimin mafioz të ndodhur katër ditë më parë në qytetin e Korçës mohon autorësinë e krimit duke paraqitur si alibi se në orën e kryerjes së vrasjes ai ndodhej në një lokal duke vendosur skedona. Por ndërkohë Leonard Pasha nuk ka mohuar faktin se ka kërcënuar viktimën pak ditë para vrasjes duke i kërkuar një borxh prej pesë mijë eurosh. Pikërisht ky borxh pritet të hapë një hetim gjigant në lidhje me një grup narkotrafiku shqiptar por që operon në Selanik të Greqisë.
Leonard Pasha është marrë dje në pyetje nga prokuroria në lidhje me vrasjen e Nikolin Sanellarit por ai ka paraqitur një alibi për momentin e krimit. Ai pretendon se nga ora 17.00-19.00 e të shtunës, kohë kur mendohet të ketë ndodhur vrasja ka qenë në një lokal bastesh sportive në qendër të qytetit aty ku dhe është gjetur shumë orë më vonë nga policia gjatë shoqërimit të tij. Ai ka pretenduar se ka qenë bashkë me kushëririn e tij të parë, ndërkohë që ky i fundit, sipas policisë, jep deponime në thelb të ndryshme për sa i përket kohës së kur ka ndodhur krimi dhe qenies së tyre në këtë lokal. Policia ka marrë në pyetje dhe persona të tjerë të këtij lokali të cilët kanë dëshmuar prezencën e autorit të dyshuar të krimit por ku koha që ata japin nuk është e njëjtë me atë që ai pretendon, ndërkohë sipas saj ka disaelementë në dorë të cilat janë kyç dhe që e fusin në grackë Pashën. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, policia e Korçës ka siguruar të dhëna se Pasha ka kërcënuar viktimën pak ditë përpara vrasjes. Këtë gjë nuk e ka mohuar as i arrestuari, i cili ka pranuar se i kishte thënë viktimës se nëse nuk i jepte disa fierakëve borxhin prej pesë mijë eurosh që u kishte në Selanik, do e kishte punën pisk. Por ndërsa i akuzuari mohon gjithçka duke mos pranuar asgjë lidhur me këtë ngjarje të rëndë, nga jashtë dhomave të izolimit dhe të afërm të tij pohojnë se ai nuk është autori i vrasjes duke ngulmuar tek qenia e tij në një vënd publik me shumë njerëz që e kanë parë gjatë kohës kur mendohet që ka ndodhur dhe ngjarja. Sipas tyre, arrestimi i tij është i padrejtë, ndërsa as ata nuk anashkalojnë faktin se ai ka qenë shok dhe i njohur i vjetër me viktimën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›