E Diel, 1 Nëntor 2026

Djegia e fletëve të votimit, KQZ nis seleksionimin e materialeve

07-01-2011 / Gazeta 55

Hapen kutitë në Lundër


UPDATE- Komisioni Qendror Zgjedhor nisi sot procesin e asgjësimit të fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Me 4 vota ‘pro’ KQZ miratoi projektvendimin për “Administrimin e listës së zgjedhësve që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, të cilat janë përdorur në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28.06.2009”. Sipas këtij vendimi listat do të arkivohen me zarf të mbyllur. Mbledhja e KQZ e cila nisi në orën 12:00 zgjati më shumë se një orë. Nga ana e saj opozita u deklarua kundër dhe pas debatit me Ristanin u largua nga mbledhja. Në bazë të vendimit të sotëm, listat e zgjedhësve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore klasifikohen sipas dispozitave që parashikon ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Në zbatim të këtij urdhri, të nxjerrë në datën 5 janar, transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit bëhet e pamundur. Kjo për shkak se pas dërgimit në Arkivin Qendror të Shtetit, listat nuk mund të bëhen publike në një të ardhme të afërt. Ato nuk mund t’i vihen në dispozicion as edhe një autoriteti tjetër, përfshi një subjekt politik siç mund të jetë Partia Socialiste apo qoftë edhe një komisioni hetimor parlamentar, pasi kjo do të konsiderohej një shkelje e privatësisë së zgjedhësve. Zv/kryetarja, Dëshira Subashi u deklarua kundër shqyrtimit të këtij akti duke e quajtur  “jo kompetencë e KQZ, dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor”. Ajo shtoi se ky akt nuk mund të shqyrtohet pasi ajo si nënkryetare e KQZ-së nuk e ka firmosur dhe se akti hyn në fuqi vetëm pas firmës së nënkryetarit. Në këtë kuadër, Subashi kritikoi urdhrin e Ristanit. “Akti i 29 dhjetorit shmangu listat. Shmangia ka pasur si qëllim largimin e komisionerëve të opozitës”- theksoi ajo. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani fajësoi komisionerët e opozitës për mungesën e tyre në diskutimin e 29 dhjetorit që sipas tij nëse përfaqësuesit e PS-së nuk do të ishin larguar nga mbledhja atëherë KQZ-ja do të gjente konsensus dhe do ta kishte votuar atë unanimisht. Pas debatit me kryetarin e KQZ-se se bashku me përfaqësuesit e opozitës braktisë mbledhjen.


Hapja e kutive në Lundër, Komisioni Përgjegjës seleksionon materialet


Pas një trajnimi paraprak pranë godinës së KQZ-së, Komisioni Përgjegjës për hapjen e kutive të votimit u nisën sot në mengjes drejt fshatit Lundër në periferi të kryeqytetit. Aty gjenden magazinat ku ruhen aktualisht kutitë e zgjedhjeve, për t’i transportuar ato mandej drejt këtij institucioni. Sipas vendimit të marrë nga KQZ në datën 29 dhjetor 2010, me hapjen e kutive, materialet zgjedhore do të dërgohen në Arkivin Qendror të Shtetit, ndërsa fletët e votimit do të digjen. Rreth orës 10. 30 minuta grupi i punës ka nisur punën për seleksionimin dhe arshivimin e materialeve zgjedhore dhe veçimin e fletëve të votimit. Procesi kryhet në prani dhe të gazetarëve. Për kreun e KQZ-se kjo është procedurë rutinë dhe bëhet pas çdo procesi elektoral, por mori këtë herë një vëmendje të madhe të opinionit publik për shkak të situatës së ngarkuar politike. Mësohet se fletët e votimit të cilat do të digjen do të vendosen me qese të zeza të cilat pas disa ditësh do të digjen në Sharrë ndërsa materialet zgjedhore do të vendosen në Arkivën e Shtetit.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›