E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi, Diplomacia shqiptare: Raporti i Dick Marty-t, s’do jetë pengesë për njohjen e Kosovës

07-01-2011 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto thotë se nga Beogradi zyrtar s’ka ardhur asnjë kërkesë për nisjen e hetimeve, pas pretendimeve të ngritura nga deputeti zviceran

Raporti i komisionerit të KE-së Dick Marty për Kosovën mund të ngadalësojë njohjen e pavarësisë së saj por nuk mund ta pengojë atë. Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në një konferencë për shtyp duke përshëndetur edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Katari. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është një proces i pandalshëm dhe se raporti i Marty nuk mund t’i pengojë njohjet e saj. “Unë e quaj të rëndësishëm vendimin e Katarit për njohjen e pavarësisë së Kosovës që do të pasohet edhe nga njohje nga shtetet të tjera që vlerësojnë progresin e bërë nga Kosova, por gjithashtu edhe për vlerësimin e kontributeve që jep pavarësia e saj për paqen dhe stabilitetin dhe për zhvillimin e rajonit të Ballkanit”- theksoi Haxhinasto. Gjithashtu Haxhinasto ka theksuar se qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Hagën dhe misionin EULEX, nëse këto do të kryejnë hetime mbi raportin e Dick Marty. “Jemi të gatshëm për hetime nga Haga dhe EULEX. Shqipëria do të bashkëpunojë plotësisht”- shtoi kryediplomati shqiptar, duke shtuar se deri tani nga pala serbe nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për hetimin e akuzave të reporterit të Këshillit të Europës Dick Marty.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›