Kosova, në heshtje zgjedhore, nesër votohet në 62 qendra votimi
LDK vetëkonfirmohet si opozitare e PDK. Mustafa mohon koalicionin me Thaçin
Një ditë para përsëritjes së zgjedhjeve për shkak të manipulimit në procesin zgjedhor të 12 dhjetorit, ka nisur heshtja parazgjedhore në Drenas, Skenderaj, Deçan, Malishevë dhe Lipjan, e cila do të zgjasë deri nesër në mbylljen e vendvotimeve në orën 19.00. Rivotimi do të kryhet në 62 qendra votimi dhe 185 vendvotime në komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan dhe në qendrat e zgjedhura të votimit në Lipjan dhe Malishevë. Vendvotimet nesër do të hapen në ora 7.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen më ora 19.00. Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) ka njoftuar se do të abstenojë të dielën gjatë procesit të rivotimit në komunën e Skenderajt. Më 9 janar, 100 ekipet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian do të mbikqyrin çdo fazë të zgjedhjeve në ditën e votimit ashtu siç bënë më 12 dhjetor. Këtë herë ekipet do të jenë statike, pra do të qëndrojnë në një qendër votimi gjatë gjithë ditës. Një ekip do të mbulojë nga një deri në tre vendvotime. Ekipet e vëzhgimit do të përbëhen nga anëtarë të stafit të ICO/EUSR-së, anëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë si dhe nga diplomatë të vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dje po ashtu është marrë vendim për rivotim në shumicën e vendvotimeve në qytetin e Mitrovicës. Data e mbajtjes se zgjedhjeve këtu nuk është caktuar por besohet se do të jetë pas dy ose tre javëve.