Kryeministri Berisha premton realizimin e ëndrrës së 1.5 milionë shqiptarëve, autostradën Tiranë-Elbasan brenda 18 muajve

20 vjetori i themelimit të degës së degës së PD-së, Elbasan
“Sot është koha të ndiheni krenarë me vendimin që morët 20 vite më parë sepse ne vendosëm të themelojmë një parti politike, të idealeve tona më fisnike dhe të drejtave e lirive njerëzore”. Me këto fjalë, kryeministri Berisha iu drejtua sot banorëve të Elbasanit, gjatë ceremonisë festive me rastin e 20-vjetorit të krijimit të degës së Partisë Demokratike në këtë rreth. Sipas Berishës, duhet të jemi krenarë se rikthyem në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë, vlerat më njerëzore dhe ato të shoqërisë. “Duhet të ndiheni krenarë se me harmoninë tonë fetare, ne rrezatojmë mirësi në të gjithë botën. Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një mesazh shumë i shkëlqyer që mbërrin nga vendi ynë”, shtoi ai. Ndër të tjera, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se kjo forcë politike arriri të kthejë besimin tek e ardhmja, në një kohë kur para 20 vitesh ne ishim kombi më i shtypur. “Ne u bëmë avokatët më të fuqishëm të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe sot jemi krenarë që kemi Kosovën e pavarur”, përmendi ndër të tjera Berisha. Më tej, ai foli edhe mbi heqjen e vizave, duke thënë se ajo ishte një fitore e madhe, duke mos harruar as faktin se Shqipëria qëndron në krye të rritjes ekonomike të vendeve në tërësi. Gjithçka sipas tij, vetëm falë programit të shkëlqyer të Partisë Demokratike. “Në një hark të shkurtër vetëm prej 5 vitesh ne ia dolëm të dyfishojmë rrogat dhe pensionet dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në një kantier të madh zhvillimi. Unë vij sot te ju me një kënaqësi të madhe sepse këtë vit, një ëndërr juaj fisnike, do të bëhet realitet – Autostrada Tiranë-Elbasan”, shtoi më tej kreu i qeverisë para qytetarëve të Elbasanit.
...