Edvini, urrejtje patologjike ndaj shumicës vendimmarrëse

Kreu i PS-së vjell vrerë ndaj çdo shprehje mendimi, fjale dhe vote, të lirë e demokratike të shqiptarëve, pasi liria dhe pluralizmi s’i jep asnjë mundësi tendencës së shfrytëzimit, dhunës dhe centralizimit të sistemit qeverisës, çka shmang kështu rikthimin e diktaturës hoxhiste
Kryetari i socialistëve dhe lideri në tentativë i opozitës, ka tmerr të acartë ndaj vullnetit që shpreh shumica e shqiptarëve dhe mazhoranca qeverisëse. Ai injoroi dhe shkelmoi të drejtën Kushtetuese të shqiptarëve, për të zgjedhur dhe votëbesuar, duke krijuar kështu një klimë konflikti artificial, e shprehur përmes bojkotit, thirrjeve për revoltë dhe dhunë si dhe kërcënime nga më të pamoralshmet si p.sh për bllokimin e procesit të heqjes së vizave dhe statusin kandidat, në mënyrë që bagazhi i tij i zbehtë politik, të kishte dispozitën e duhur anti-mazhorancës, pasi vetëm kështu mosbindja civile do merrte përmasa të pallogaritshme, të paktën kjo mendohej. Por, kur kaluan 18-19 muaj kushtëzim të marrëdhënieve me kuvendin dhe institucionet Kushtetuese, bllokada opozitare u shkërmoq me vendimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, për heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt vendeve të “Schengen”-it evropian. Në rrethana ekzistenciale dhe të ndodhur nën presionin e ashpër të kancelarive perëndimore, klika e Edi Ramës dhe ndjekësve të tij, po i kacavirret një tjetër vendimi të shumicës. Vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zbatuar procedurën rutinë, të asgjesimit të fletëve të votimit dhe kundrafletët, sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Për të dytën ditë me radhë, Edvini ka nxjerrë në konferenca shtypi hispanikët e tij, me apele se Partia Socialiste s’njeh vendimin e KQZ-së. Pra, mirëfilltazi, PS s’njeh Kushtetutën dhe ligjin në fuqi. Platforma e Edi Ramës, “Jo Ligjit dhe Kushtetutës, Jo Integrimit”, është një strukturë okulte, apo një instrument apatrid që luhet nga një tufë injorantësh, endacakësh politik, që veç pasurive të tyre qindramilionëshe s’kanë asnjë lidhje me efektivitetin politik dhe besimin reciprok. Pikërisht, jo më larg se sot, Edi Rama në takimin e Xhumasë me gazetarët e ka cilësuar si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas tij, ky akt tregon më së miri se kryeministri Berisha i vodhi votat e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe se është fajtori për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Por, z.Rama harron se djegia e fletëve të votimit dhe arkivimi i materialeve zgjedhore në Arkivën e Shtetit është një procedurë, dhe mund të shtojmë shprehimisht se zgjatja e këtij procesi deri në gati 20 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve, është edhe shkelje e ligjit. Opozitës iu la në dispozicion e gjithë koha e nevojshme për ngritjen në një shkallë më lart të pretendimeve të saj për manipulime dhe parregullsi të zgjedhjeve. Dhe ajo që doli nga e gjithë kjo s’ishte asgje tjetër veçse një tymnajë e errët politike, me qëllime të paqartë. Ai tha gjithashtu se opozita do vazhdojë me bojkotin e institucioneve, duke shpërfillur apelin dhe thirrjen e hershme të Brukselit për konsensus dhe dialog në Kuvend. Ndaj dhe në këtë sens, po faktohet gjithnjë e më tepër se, roli i Edi Ramës dhe forcës së tij politike duhet të trajtohet si një këmbanë alarmi për rendin demokratik dhe atë social-ekonomik.
...