“Djegia e makinës, s’kam konflikt me njeri, kam frikë për familjen”
Ardi Veliu, drejtori i Policisë Bashkiake të Vlorës, ka hedhur dyshime se zjarri i është vënë makinës në shenjë hakmarrjeje pas disa largimeve nga radhët e kësaj policie
VLORË Makina e kreut të Policisë Bashkiake të Vlorës është djegur qëllimisht nga persona ende të panjohur. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se në lagjen “Isa Buletini” të Vlorës, pranë shkollës Industriale “Pavarësia” është duke u djegur një automjet tip ‘Mercedes-Benz’ 220 C, me targa VL 0999 C, i cili ishte në pronësi të drejtorit Ardi Veliu. Dy personat, të cilët dyshohen si i kanë vënë flakën makinës së tij, janë pikasur nga një patrullë policie, por për shkak të errësirës ata kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes.
Djegia
Duke qenë në një nga zonat kryesore, zjarri i vendosur në makinën e Veliut është parë dhe nga një patrullë policie, e cila ka qenë në atë vend në momentin e shpërthimit të flakëve. Menjëherë ata janë vënë në ndjekje të dy autorëve të zjarrvënies, madje njëri prej efektivëve ka qëlluar tri herë në ajër. Por denduria e pallateve ka ndihmuar autorët të largohen, duke arritur të mos bien në duart e policisë. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se pranë makinës së djegur janë gjetur dy bidonë me benzinë, të cilët janë përdorur nga dy autorët e vënies së zjarrit. Po burime të rezervuara bëjnë me dije se në ambientet e policisë janë shoqëruar për verifikim edhe ish-punonjës të Policisë Bashkiake, pushuar në vite nga puna për motive të ndryshme.
Dyshimet
Ardi Veliu është paraqitur ditën e djeshme si gjithmonë në ambientet e Policisë Bashkiake, ku prej rreth dy vjetësh ushtron funksionin e kreut të saj. I pyetur personalisht Veliu nuk ka ditur të sqarojë më tepër mbi dyshimet për autorët. Dyshimet kryesore janë për ndonjë hakmarrje për shkak të detyrës, por ende nuk ka një pistë të mirëpërcaktuar. Automjeti në pronësi të Veliut përdorej edhe nga bashkëshortja, pedagoge kjo prej shumë vitesh në universitetin "Ismail Qemali" Vlorë. Automjeti është hequr menjëherë nga vendngjarja, ku edhe është dërguar për hetime të mëtejshme. Përpara detyrës aktuale, Veliu ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Vetë shefi i Policisë Bashkiake të Vlorës deklaroi se “nuk kam asnjë konflikt”. “Unë dhe familja ime jemi të tronditur nga ngjarja. Në momentin e djegies së makinës në orët e natës, edhe fëmijët kanë parë të djegur automjetin”, - ka pohuar kreu i Policisë Bashkiake. Gjithsesi, vetë kryepolici bashkiak ka deklaruar edhe në polici disa dyshime mbi një ngjarje të freskët. Veliu ka shpjeguar se pak ditë më parë kishte urdhëruar pushimin nga puna të tre punonjësve të tij, për të cilët ka pohuar se e ka marrë këtë vendim pasi i ka gjetur në gjendje të dehur gjatë orarit të punës. Por duket se vendimi nuk ka kaluar pa kundërshti nga ana e tre punonjësve të Policisë Bashkiake, ndërkohë që ndër personat e shoqëruar në policinë e Vlorës kanë qenë edhe këta punonjës të larguar së fundmi nga puna. Gjithsesi, ende policia nuk jep versionin zyrtar për motivet e ngjarjes, edhe pse dyshimet kryesore janë ato për shkak të detyrës.
Ervin Haruni
Motivet
Ish-polici
Përpara detyrës së kreut të Policisë Bashkiake, Ardi Veliu ka qenë në radhët e Policisë së Shtetit, në komisariatin e Vlorës, dhe mendohet se zjarrvënia mund të jetë shkaktuar nga persona me të cilët ai është konfliktuar kur kryente këtë detyrë
Bashkëshortja
Gruaja e kreut të Policisë Bashkiake të Vlorës, punon prej vitesh pedagoge në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Mendohet se zjarrvënia në makinën e tyre mund të jetë bërë nga ndonjë student i pakënaqur
Hakmarrja
Disa ditë më parë ai ka larguar nga detyra tre punonjës të Policisë Bashkiake, për shkak se shkonin në gjendje të dehur në punë dhe mendohet se ndonjë prej tyre mund të jetë autori i zjarrvënies në shenjë hakmarrjeje