Fier, kapen snajper e pistoleta me silenciator, bllokohet dhe heroinë
Në portin e Vlorës është bërë i mundur bllokimi i 1.5 kg kanabis, e cila po transportohej në drejtim të Italisë me një autobus me targa të Fierit, ndërsa u arrestua transportuesi i saj
Tri armë dhe një sasi e droge prej 110 gramë heroinë është bllokuar ditën e djeshme në qytetin e Patosit, ndërsa ka rënë në pranga një 22-vjeçar. Një snajper, dy pistoleta të tipit “Zastava” dhe “Skorpions” janë bllokuar në shtëpinë e një 44-vjeçari, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Armët e kapura ishin të pajisura me silenciator. Menjëherë pas bllokimit, policia e Fierit ka dërguar në laborator këto armë për të zbuluar nëse ato janë përdorur në vrasje, të cilat kanë mbetur ende pa autor. Të dyshuarit kanë qenë nën vëzhgim prej afro 1 muaji.
Operacioni “Snajper”
Strukturat e Sektorit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbulimin dhe kapjen e autorëve, realizuan me sukses operacionin e koduar “Snajperi”. Gjatë këtij operacioni u arrestua 22-vjeçari Eni Xhelaj, banues në Rërës të Patosit, si dhe u shpall në kërkim 44-vjeçari me inicialet F.Xh. I arrestuari akuzohet për veprat penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve” dhe “ prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Në vijim të këtij operacioni, në banesën e 44-vjeçarit tashmë të shpallur në kërkim, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një snajper izraelit G3, një pistoletë të tipit “Zastava”, një pistolete automatike e tipit “Skorpions”, të tria këto armë zjarri të pajisura me silenciator, si dhe një sasi prej 110 gram lëndë e dyshuar narkotike, e llojit heroinë dhe dy peshore farmaceutike të masave të ndryshme. Fillimisht ka rënë në pranga 22-vjeçari Eni Xhelaj. Burimet policore pohuan se ai nuk ka bërë asnjë lëvizje për të kundërshtuar forcat e policisë. Në çastin e prangosjes së tij, policia ka mësyrë në banesën e F.XH. Por ky i fundit i ka diktuar paraprakisht dhe është larguar nga banesa, duke i shpëtuar prangave të bluve. Në banesën e tij janë gjetur edhe arsenali i armëve të zjarrit si dhe lënda narkotike e dyshuar si heroinë. Por të njëjtat burime policore pohuan se bashkë me këta dy persona janë duke u hetuar dhe shtetas të tjerë. Grupi kriminal i zbuluar i ka blerë këto armë nga tregu i jashtëm, por nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë blerë edhe mes trafikantëve që mund të operojnë brenda vendit. Arma snajper e prodhimit izraelit, është tepër e sofistikuar dhe mund të kryejë goditje të precizuar deri në 2 km dhe sipas policisë, është siguruar kundrejt një çmimi të shtrenjtë.
Droga në port
Një sasi droge është kapur në një nga autobusët e një prej agjencive të Fierit, që operojnë në linjat me Italinë. Autobusi me targa FR 9243 C është pronë e agjencisë “Arjani Travel”. Autobusët e kësaj kompanie nisen nga Fieri dhe bëjnë linjat që lidhin këtë qytet me disa qytete në qendër dhe veri të Italisë. Burime nga autoritetet portuale bëjnë me dije se bëhej fjalë për një kontroll rutinë, nga ata që kryhen rëndom nga policia kufitare e Vlorës në bagazhet e automjeteve. Pas hetimeve të policisë rezultoi se droga prej 1.5 kg i përkiste Ledjo Ndonit, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Libofsh të rrethit Fier. Sipas policisë gjatë operacionit të koduar “trekëndëshi: u bi i mundur arrestimi i 23-vjeçarit pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në çantën e tij të dorës mbi sediljen e autobusit të linjës Vlorë-Firenze, brenda një kutie kartoni është gjetur një pako e mbështjellë me natriban të tejdukshëm e cila kishte brenda një sasi pluhuri si ajo e kafesë dhe poshtë saj kishte një sasi prej 1.5 kg lëndë e ngjashme me “kanabis sativa” e cila do të trafikohej drejt Italisë. Sasia e lëndës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Fillimisht i riu ka mundur të largohet nga Porti i Vlorës në momentin e kontrollit dhe në sajë të masave të marra në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier rreth orës 19:00 është bërë i mundur arrestimi e tij në fshatin Libofsh të rrethit Fier.