Plani rregullues i qytetit mban peng legalizimet
ELBASAN Planet rregulluese të bashkive janë duke penguar mbarëvajtjen e procesit të legalizimeve në Elbasan. Megjithatë, sipas drejtoreshës së ALUIZNI-t, Mimoza Trimi, ky proces pritet të përfundojë brenda vitit për bashkinë Elbasan e është në vazhdim në njësitë e tjera vendore. Sipas saj, numri i dosjeve të përgatitura dhe të kontrolluara edhe në varësi të kërkesave sporadike të qytetarëve ka shkuar në 1 mijë. Ajo ka pohuar se në varësi të paraqitjes së qytetarëve gjatë vitit 2011 janë përfunduar dhe dorëzuar në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t 275 dosje për t’u pajisur me leje legalizimi. Por Trimi ka sqaruar se ka probleme për sa i përket identifikimit në terren të ndërtimeve informale, mungesa e vijave të verdha apo planeve rregulluese. “Aktualisht, procesi i identifikimit në terren të ndërtimeve informale po ecën me hapa të ngadaltë për shkak të mungesës së hartave, gjë për te cilën është vënë në dijeni disa herë Drejtoria Qendrore e ALUIZNI-t në Tiranë. Një tjetër problem që pengon vazhdimin normal të procesit është dhe fakti që shumë zona kadastrale të qarkut të Elbasanit nuk kanë hyrë në sistemin e regjistrimit. Kështu për mungesë të informacionit për statusin juridik të pronësisë, dosjet e ndërtimeve informale të vetëdeklaruara në këto zona nuk mund të vazhdojnë më tej procesin e legalizimit”. Gjithashtu, Trimi sqaron se me ndryshimet e fundit të VKM për kriteret dhe procedurat për të kualifikuar objektet që legalizohen ose jo, një tjetër problem paraqet edhe mungesave e planeve rregulluese. Mungesa e planeve rregulluese është bërë pengesë për ecurinë normale të këtij procesi deri në vënien në dispozicion të këtij materiali, duke pasur parasysh kufizimet e vendosura nga ligji e aktet nënligjore në këtë drejtim. Lidhur me këtë fakt, nga ana e Këshillit të Qarkut Elbasan nuk na janë vënë në dispozicion planet e përgjithshme rregulluese në 6 bashkitë e Qarkut Elbasan, edhe pse janë miratuar në KRRTSH; detyrat e projektimit dhe projekti teknik. Kreu i ALUIZNI-t sqaron se marrëdhëniet me Bashkinë Elbasan kanë krijuar edhe konfuzion tek qytetarët. Bashkia Elbasan, nëpërmjet shkresave të vazhdueshme kontradiktore me njëra-tjetrën ka krijuar konfuzion tek qytetaret lidhur me ekzistencën e Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Elbasanit, apo studimet urbanistike pjesore të shkëputura nga ky Plan i Përgjithshëm Rregullues, plan që na e kanë vënë në dispozicion zyrtarisht si drejtorisë sonë, ashtu dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t Tiranë”. Qarku i Elbasanit numëron 18 500 objekte në proces legalizimi. Por, prefekti Deliallisi ka ngritur shqetësimin se janë me dhjetëra objekte të tjera që janë ndërtuar pa leje pas këtij procesi. F.Salliu