E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rrëzon burgimin e përjetshëm për Aldo Baren

SHKRUAN: Leonard Bakillari 04-10-2011 14:33

Tiranë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda rrëzoi dje dënimin me burgim të përjetshëm të Aldo Bares, duke vendosur kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Vendimi erdhi pas pretendimit të avokatit mbrojtës të Bares, Vladimir Meçi, se gjatë procesit në Shkallën e Parë ka pasur shkelje të shumta proceduriale. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër kolegj penal rrëzoi akuzën e vrasjes së shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri për të pandehurit, duke i dhënë pafajësi njërit prej tyre, i cili ishte dënuar me 18 vjet burg vetëm për këtë vrasje. Këtu duket se ka nisur edhe debati për këtë çështje, pasi Shkalla e Parë ka dënuar Baren me burgim të përjetshëm vetëm për këtë akuzë. Por megjithatë, gjykata çmoi se procesi në Shkallën e Parë ka pasur shkelje të rënda procedurale dhe për këtë arsye Aldo Bare do t’i nënshtrohet një tjetër procesi gjyqësor, me të tjerë gjyqtarë. Por edhe në këtë pikë, Krimet e Rënda pritet të hasin vështirësi, pasi nga krijimi i kësaj gjykate në vitin 2004 e deri tani janë gjykuar dy grupe të “Bandës së Lushnjës” dhe të pandehurit Aldo Bare dhe Enver Dondollaku veç e veç. Këto procese kanë konsumuar të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, çka ka detyruar KLD-në të komandojë gjyqtarë të gjykatave të tjera në procesin ndaj Bares.

Vetëm një seancë më parë avokati i Bares rrëzoi me argumente të gjitha provat e prokurorisë për vrasjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Organi i akuzës kryesisht është bazuar në dëshminë e bashkëshortes së viktimës, Mimoza Demiri, dhe shoferit të furgonit me të cilin udhëtonte viktima, për të ngritur akuzë ndaj Aldo Bares dhe katër pjesëtarëve të tjerë të bandës. Por edhe këto dëshmi nuk janë marrë në konsideratë nga Gjykata e Apelit, e cila pushoi akuzën e vrasjes së Xhevat Demirit për tre të pandehurit e këtij procesi. Kjo vrasje, sipas avokatit të Bares, provohet të ketë ndodhur, por jo identiteti i viktimës. Sipas Meçit, në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ekspertët mjeko-ligjorë nuk kanë kryer këqyrjen e kufomës, fakt ky i konfirmuar edhe nga një vërtetim i ekspertit, i cili ndodhet në dosjen e prokurorisë. Por një tjetër argument i prokurorisë, që nuk mund të pranohet, sipas mbrojtjes, janë edhe fotografitë e pllakës së varrit të Xhevat Demirit, të cilat janë depozituar si provë në gjykatë. Në mungesë të akteve zyrtare, si këqyrja e kufomës, apo certifikata e vdekjes, organi i akuzës i ka paraqitur si provë gjykatës fotografitë e varrit të viktimës, duke krijuar kështu bindjen që vrasja e të ndjerit provohet. Të gjitha këto elemente pritet të jenë pjesë e procesit të ri gjyqësor që do të zhvillohet ndaj Aldo Bares në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Gjyqtarë të deleguar për Aldo Baren

Vështirësia me trupën e re gjyqësore duket se do të zgjidhet me një kërkesë të re për KLD-në, me qëllim delegimin e një trupe gjyqësore, pasi të gjithë gjyqtarët kanë konsumuar të drejtën e gjykimit për bandën e Lushnjës. Sipas prokurorisë, Aldo Bare akuzohet për të paktën 12 akuza, 5 prej të cilave janë për vrasje. Por pavarësisht akuzave të shumta, Bare u dënua me burgim të përjetshëm vetëm për vrasjen e Xhevat Demirit, për të cilën prokuroria kishte dy dëshmitarë të mbrojtur, bashkëshorten e viktimës dhe shoferin e furgonit, me të cilin Demiri udhëtonte para se të vritej në hyrje të qytetit të Lushnjës.

Provat e prokurorisë për vrasjen e Xhevat Demirit

1. Material i denoncuar, që ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më 3 gusht të vitit 1997 ku mbeti i vdekur Xhevat Demiri

2. Deklaratë e shtetases Mimoza Demiri, bashkëshortja e viktimës, e cila ka dhënë dy dëshmi të ndryshme për ngjarjen

3. Akt ekspertimi balistik nr.38, që ka të bëjë me ekspertimin e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, në hyrje të Lushnjës

4. Vërtetimi i Gjendjes Civile, i nënshkruar nga një punonjëse, e cila thotë se çifti Demiri janë martuar më 24.10.1991

5. Vërtetimi i Mjekut Ligjor, i cili thotë se nuk është kryer këqyrja e viktimës, pasi një gjë e tillë nuk është kërkuar nga grupi hetimor

6. Relacion i oficerit të Policisë Gjyqësore, i mbajtur pas përfundimit të hetimeve për vrasjen e shtetasit maqedonas

7. Vendi i pezullimit, i cili tregon se më parë kjo çështje ishte pezulluar nga ana e prokurorisë për zbulim autori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›