E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për Gërdecin, prokuroria merr dhe 2 javë kohë

Në kohën kur pritej konkluzioni i akuzës, prokurori Genci Qana kërkoi edhe dy javë kohë për të hartuar pretencën. Kërkesa miratohet nga gjykata

Tiranë Katër përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan dje më shumë kohë për të hartuar konkluzionet përfundimtare ndaj 29 të pandehurve, të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Kërkesa u bë në sallën e gjyqit nga prokurori Genci Qana, i cili i tha gjykatës se nevojiten edhe të paktën 2 javë kohë për të hartuar pretencën përfundimtare ndaj të pandehurve. Kjo kërkesë, sipas tij, justifikohet me faktin se në këtë proces numri i të pandehurve është i madh dhe për këtë arsye prokuroria kërkon më tepër kohë. Një kërkesë e tillë u artikulua edhe dy javë më parë nga përfaqësuesit e akuzës, të cilët i kërkuan gjykatës 1 muaj kohë për pretencën. Por një muaj më parë, gjykata e refuzoi një kërkesë të tillë me argumentin se periudha 1-mujore përbën shkeljeve të afatit të gjykimit, për sa kohë është vendosur gjykim i pandërprerë për këtë dosje. Ditën e djeshme kërkesa e prokurorisë u miratua nga gjykata, e cila u la në dispozicion katër prokurorëve edhe 2 javë kohë për të përgatitur pretencën përfundimtare ndaj 29 të pandehurve. Paralajmërimi për masat e dënimit që do të kërkoheshin nga prokuroria në seancën e djeshme, ka ngjallur interesin e familjarëve të viktimave, të cilët gati e kishin braktisur këtë proces. Gjatë seancës së djeshme, të pranishëm në sallën e gjyqit, përveç Zamira Durdës, e cila humbi djalin 6-vjeçar nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, ishin të pranishme edhe disa gra të tjera, të veshura me të zeza. Tushe Osmani, që ka humbur vajzën; Nazmie Azizi e Mimoza Kruja, të cilat kanë humbur bashkëshortët; si dhe Elona Hasa që ka humbur të atin, ishin të pranishme gjatë seancës së djeshme në pritje të pretencës së prokurorisë. Prokuroria pritet të japë konkluzionet e saj për superdosjen “Gërdeci” më 17 tetor, kur para gjykatës do të referohet një material voluminoz, i cili mund të shkojë deri në 500 faqe. Tashmë gjykata i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor të njërës prej çështjeve më të rëndësishme të drejtësisë, duke i hapur kështu rrugën pretencës së prokurorisë, pretendimeve të mbrojtjes dhe në fund vendimit përfundimtar. Të pandehur në këtë proces janë biznesmenë, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Shqiptare. Të pandehurit akuzohen për vrasje masive, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›