Ministri Vasili kërkon reformim të sistemit shëndetësor
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka bërë një deklaratë të fortë, ku është shprehur se paaftësia dhe apatia i kanë marrë frymën sistemit të shëndetësisë. Pak ditë pasi ka marrë detyrën Ministri i ri i Shëndetësisë thotë se sistemi më kryesor ka humbur ritmet e tij. Sipas tij, paaftësia dhe apatia në zgjidhjen e problemeve ka lënë në gjendje mjerane sistemin e shëndetësisë. Më pak se një javë pasi ka marrë stafetën nga kolegia e tij Anila Godo, ministri i ri Petrit Vasili ka gati skemën që pritet të sjellë ndryshime të menjëhershme që duhet të preken nga qytetarët. Emergjente sipas Vasilit janë ndryshimi i ritmit të zgjidhjes së problemeve, duke evituar zvarritjen pafund, për të fituar ritmin e duhur. “Nga gjërat kryesore që duhet të ndryshojmë në shëndetësi, sipas mendimit tim, është ritmi i zgjidhjes së problemeve. Të eliminohet njëherë e përgjithmonë zvarritja. Apatia dhe paaftësia në menaxhimin e situatës bën që të mungojnë disa shërbime të cilat janë prezentë, dhe që qytetarët të indinjohen e të zemërohen shpesh herë, me të drejtë. Vënde vënde, sistemi ka humbur ritmin dhe ndërkohë që ka një dëshirë për të bërë reforma, ato duhet të paraprihen nga disiplinimi i sistemit”,- u shpreh Vasili. Ministri Vasili jep disa nga pikat ku duhet të synojë reforma, ku padyshim nuk duhet të përjashtohet as rritja e pagesës për sigurimin shëndetësor. “Duhet të zgjerojmë gjithmonë e më shumë bazën e të siguruarve. Shqiptarët duhet ta heqin nga mendja se duke mos paguar para, do të mund të përfitojnë shërbime shëndetësore, aq më shumë gratis”,- theksoi ministri. Kur të gjitha organizatat e njohura shëndetësore japin alarmin e shtimit të rasteve të A/H1N1 me ardhjen e vjeshtës, ministri i Shëndetësisë i bën thirrje popullsisë të mos largojë vëmendjen nga virozat e tjera gripale, duke vazhduar rregullisht vaksinimin.
23 Shtator 2009