E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djemtë e Rrugës së Kavajës, ekstradohet vrasësi i Zhupanit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 15-01-2011 10:19

Tiranë- Gati 10 vite pasi vrau Ilirian Zhupanin dhe tentoi të vriste Ilirian Borovën, Arsim Lita vjen me pranga në duar në Shqipëri, ku e pret një dënim me 24 vite burg. Emrat e përfshirë në këtë ngjarje të dhjetë viteve më parë nuk janë të panjohur, pasi Ilirian Borova është vëllai i dy prej kundërshtarëve të Denis Ginës, Ervin e Ergys Borova, të cilët janë vrarë gjatë vitit 1999, gjatë përplasjeve të përgjakshme të djemve të Rrugës së Kavajës. Ekstradimi i Arsim Litës nga Gjermania është realizuar nga ana e Interpol Tiranës, në bazë të një urdhër-arresti të firmosur që prej dënimit të tij me 24 vite burg nga drejtësia shqiptare. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës të vitit 2005 mësohet se në datën 07.11.2001, rreth orës 11:00, te bulevardi “Bajram Curri”, mjeti tip Benz 220 ngjyrë mente me targa TR 9862 E, në të cilin udhëtonin Ilirian Zhupani, Ilirjan Borova dhe A.Y., fillimisht është parakaluar nga mjeti tip Benz 250 ngjyrë vishnje me targa të huaja ACKV 126, i cili më pas i ka prerë rrugën. Në këto momente, nga mjeti me targa të huaja ka dalë Arsim Lita me një person tjetër të paidentifikuar dhe kanë shtënë me pistoleta në drejtim të makinës së Borovës. Për pasojë, ka gjetur vdekjen Ilirian Zhupani dhe është plagosur Ilirjan Borova. Më pas, autorët e ngjarjes largohen me mjetin e tyre në drejtim të rrugës “Ali Demi”. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 18 copë gëzhoja. Rreth orës 16:00 të po kësaj date, i pandehuri Arsim Lita, i shoqëruar nga një person tjetër i ri në moshë, i qethur shkurt, i paidentifikuar, me një makinë BMW, kanë shkuar në pikën e tregtimit të pjesëve të vjetra të automjeteve. Nga ana tjetër, vetë Borova i pyetur për këtë ngjarje ka treguar se ai ka qenë objektivi i sulmit. “Tek ura e ‘Ali Demit’, duke u futur në rrugën me të njëjtin emër, na ka hyrë në parakalim në krahun tim një benz 250 me ngjyrë vishnje me targa ACKV 216, pasi na parakaloi kjo makinë na zuri rrugën, personi që ishte në sediljen mbrapa doli me pistoletë në dorë dhe filloi të qëllonte në drejtimin tim, unë u futa poshtë kroskotit … Në vitin 1999 më janë vrarë dy vëllezër. Dua të theksoj se mua më kanë qëlluar për të më hequr qafe” - dëshmoi asokohe Borova. Tashmë, Arsim Lita, i ekstraduar gjatë ditës së djeshme nga Gjermania, do të vuajë dënimin me 24 vite burg të dhënë nga ana e Gjykatës së Tiranës për këtë ngjarje. Edhe pse nuk është deklaruar asnjëherë zyrtarisht se atentati i Arsim Litës kishte lidhje me konfliktet e përgjakshme të djemve të Rrugës së Kavajës, nën zë u pohua se kjo ngjarje ishte në vazhdën e ngjarjeve të vitit 1999. Referuar historikut të bandës së Rrugës së Kavajës, më 27 mars të vitit 1999, në afërsi të lokalit VIP, pranë ish-Bllokut, u ekzekutua Ervin Borova. Kjo shërbeu në të njëjtën kohë si start i vrasjeve të djemve të Rrugës së Kavajës. Vëllai i Ervinit, Ergysi, u qëllua për vdekje në 4 maj të 1999-ës në banesën e tij në Tiranë. Anëtarët e grupit mbështetës të Borovës kundërpërgjigjen vetëm më 22 qershor të vitit 1999. Në periferi të Tiranës, pranë vendit të quajtur "Fusha e druve" ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Median Shehu, të cilët në momentin e atentatit po udhëtonin me një makinë të blinduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›