E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci” mbetet në bllokadë, apelon gjykata

Tiranë- Dështon për të 17-ën herë radhazi procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit. Shkak për shtyrjen e djeshme të seancës gjyqësore ndaj 29 të pandehurve është bërë mungesa e Sokol Ngjeçit, i cili për arsye shëndetësore nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, duke kërkuar kështu shtyrjen e seancës. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Tiranës, bëhet me dije se në seancën e djeshme, me deklaratë të shkruar, i pandehuri Ngjeçi ka kërkuar përfaqësimin e tij nga avokati mbrojtës Nikë Progni, vetëm në prezencën e vetë të pandehurit. Në deklaratë i pandehuri Sokol Ngjeçi kërkoi gjithashtu që seanca gjyqësore të zhvillohet pas daljes së tij nga spitali, ku, sipas tij, qëndron i shtruar pas disa problemeve shëndetësore të shfaqura kohët e fundit. Në këto kushte, gjykata e Tiranës është detyruar të shtyjë seancën, duke shënuar kështu dështimin e 17-të radhazi të seancave, çka po fusin në kolaps gjithë procesin, i cili sipas afateve të përcaktuar tashmë duhet të kishte përfunduar. Në shumicën e rasteve, shkak për shtyrjen e seancave janë bërë avokatët mbrojtës, të cilët me apo pa arsye kanë munguar në proces. Ky fenomen ka sjellë reagimin e Prokurorisë, e cila ka kërkuar nga gjykata të verifikohen të gjithë raportet mjekësore që avokatët kanë paraqitur në proces dhe njëkohësisht të verifikohet nëse gjatë këtyre ditëve të shënuara në raport kanë marrë pjesë ose jo në procese të tjera gjyqësore. Për zgjidhjen e kolapsit që ka përshirë çështjen “Gërdeci”, Gjykata ka kërkuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë të marrë masa ndaj avokatëve që kanë bojkotuar seancat e kësaj çështjeje. Dështimet e njëpasnjëshme të seancave, pak ditë më parë çuan në Gjykatën e Tiranës inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët morën të gjithë procesverbalet e seancave të shtyra, për verifikime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›