E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djokovic triumfon në US Open

Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 10:00

Novak Djokovic e ka konfirmuar mbizotërimin në tenisin botëror. Numri një i botës e ka rrëmbyer edhe turneun e madh të tenisit, US Open, pasi në finale e mposhti numrin 2 në botë, Rafael Nadal, 3-1 në sete: 6-2, 6-4, 6-7, 6-1, pas 4 orë e 10 minutash lojë.

Pas Australian Open e Wimbledon, ‘Nole’ e rrëmbeu edhe turneun që u mbajt në New York, për herë të parë në karrierë, pas tri tentimesh. Ai e kishte humbur finalen e vitit 2007 nga Roger Federeri, ndërsa vitin e kaluar humbte në finale pikërisht nga Nadali.

Tenisti serb e fitoi titullin e dhjetë këtë vit, si rezultat i 64 fitoreve dhe një humbjeje nga Federeri në gjysmëfinale të Roland Garrosit. Natyrisht, ai humbiste edhe në Cincinnati nga Murray, por vetëm pas tërheqjes nga fusha, për shkak të një lëndimi. Djokovic është afër rekordit të John McEnroe, i cili për një vit (1984) kishte arritur 82 fitore e 3 humbje.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, e pabesueshme. Është një vit i shkëlqyeshëm, i cili po vazhdon. E uroj Rafan për turneun që bëri, shpresoj të kemi shumë meçe të tilla”, tha tenisti serb pas meçit.

Tenisti spanjoll nuk mundi të bënte më shumë, edhe pse e kërkoi fitoren me vendosmëri. “Novak ka bërë gjëra të pabesueshme këtë vit. Ajo që e ka bërë këtë sezon është ndoshta e papërsëritshme. Kam luftuar, por ai është përgjigjur gjithmonë në mënyrën e duhur”, tha ish-numri 1 i botës.

US Open e pasuroi Djokovicin me 2,3 milionë dollarë, duke i ngritur përfitimet e tij në karrierë në 30,8 milionë. Vetëm këtë vit, ai ka inkasuar 10,6 milionë dollarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›