“Do dyfishohet gjoba për ata që s‘mbajnë rripin e sigurimit”
Etleva Delia
I emëruar prej dy ditësh në krye të Rrugores së kryeqytetit, komisar Artan Osmani duket se i ka vënë vetes disa detyra. Vetëm 24 orë pasi drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi, ka firmosur emërimin e tij në një nga komisariatet më të rëndësishme, por edhe më të përfolura të Tiranës, 35-vjeçari Osmani, nuk nguron të tregojë edhe disa nga pikat ku do të përqendrohet puna e tij në të ardhmen. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai ka treguar se së shpejti do të rritet masa e gjobës për të gjithë ata drejtues automjetesh, që nuk përdorin rripin e sigurimit. Gjithashtu, do të shtohen edhe kontrollet e policisë në fundjavë, ditë kur qytetarët konsumojnë më shumë pije alkoolike dhe lëvizin më tepër për shkak të nevojave të përditshme apo argëtimit. “Do të ketë një rritje të masës së gjobës për rripat e sigurimit, por për këtë nuk mund t’ju flas me shifra konkrete”, është shprehur komisar Artan Osmani. Ndërkohë ai nuk ka nguruar që të artikulojë edhe vlerësime për punën e paraardhësit Krenar Ahmeti, në lidhje me rregullimin e qarkullimit të kryeqytetit.
Ju sapo jeni emëruar në detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, që deri para disa ditësh drejtohej nga Krenar Ahmeti. Çfarë mund të thoni për punën e paraardhësit tuaj?
Deri dje e kam parë nga larg punën e paraardhësit tim Krenar Ahmeti dhe e kam vlerësuar, pasi me të vërtetë ka bërë një punë mjaft të mirë në stabilizimin e qarkullimit në Tiranë dhe për këtë e falënderoj. Ndërsa tani që do e shoh punën nga afër, besoj do e kuptoj më mirë pozicionin e tij dhe mënyrën se si e ka menaxhuar punën me përdoruesit e rrugës. Por deri tani nuk kam çfarë të them më shumë për të përveçse ta falënderoj. Me aq sa kam vënë re drejtuesit e automjeteve në kryeqytet janë “edukuar” në lidhje me përdorimin e rripit të sigurimit dhe me moskonsumimin e pijeve alkoolike. Gjithashtu, një punë mjaft e mirë është bërë edhe me drejtuesit e motoçikletave, në lidhje me përdorimin e kaskave mbrojtëse dhe pajisjen me dokumentacionin përkatës të mjeteve të tyre. Këtë rrugë do përpiqem të ndjek edhe unë në këtë detyrë, duke mos toleruar asgjë.
Çfarë risish mendon se do t’i sjellë Policisë Rrugore të Tiranës drejtimi juaj?
Siç ju thashë, Policia Rrugore do të vazhdojë të ecë në këtë drejtim që unë e kam gjetur, pa toleruar asnjë drejtues mjeti, që shkel rregullat e qarkullimit. Kontrollet e policisë do të jenë të fokusuara më së tepërmi në fundjavë për konsumimin e pijeve alkoolike, pasi dihet që në ditët e fundit të javës qytetarët janë më të prirur për të konsumuar alkool.
Kohët e fundit është diskutuar, që do të ketë rritje gati dyfish të gjobave për disa shkelje të veçanta, që parashikon Kodi Rrugor. Një nga këto është edhe mospërdorimi i rripit të sigurimit. A mund të na thoni se sa do ndëshkohen drejtuesit, që nuk do të përdorin rrip sigurimi?
Është e vërtetë që do të ketë një rritje të masës së gjobës, por për këtë nuk mund t’ju flas me shifra konkrete. Detyra jonë nuk është që thjeshtë të vendosim një gjobë më të lartë, por në këtë formë drejtuesit e mjeteve do të sensibilizohen më shumë për ta përdorur rripin e sigurimit gjatë udhëtimit, pasi në këtë formë për çfarëdolloj rasti aksidenti, është një mundësi e mirë që mos të kenë pasoja të rënda për jetën e tyre.
A mund të na flisni për karrierën tuaj në polici?
Kam mbaruar Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” në vitin 1997. Së fundmi, kam drejtuar Komisariatin e Policisë së Laçit, detyrë në të cilën kam qëndruar për 6 muaj. Para kësaj detyrë kam qenë në të njëjtin post në Gjirokastër. Gjithashtu, kam punuar si shef Rendi edhe në Komisariatin e Policisë së Tropojës, për gati 14 muaj, në Malësinë e Madhe, si dhe disa detyra të tjera. Ndërsa ditën e shtunë jam emëruar në krye të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës.
Kush është shefi i ri i Rrugores
Artan Osmani, i cili deri dy ditë më parë ishte shefi i Komisariatit të Policisë në Laç, tashmë është emëruar shef i Policisë Rrugore në Tiranë. Komisar Artan Osmani, më përpara ka kryer detyra mjaft të rëndësishme në polici. Pas përfundimit të Akademisë së Policisë në Vitin 1997, ai është emëruar në disa qytete të ndryshme. Më të rëndësishmet kanë qenë postet që ka mbajtur në Tropojë, si shef Rendi, ku ka qëndruar në këtë detyrë për 14 muaj, më pas në Gjirokastër si shef Komisariati, në Malësinë e Madhe dhe së fundmi në Laç, ku ka qëndruar 6 muaj. Duke filluar nga e shtuna komisar Osmani, do të drejtojë qarkullimin e Tiranës.
Osmani, vlerëson Krenar Ahmetin
Ka disa ditë që komisar Krenar Ahmeti është emëruar shef Rendi në Policinë e Elbasanit, por përsëri për banorët e Tiranës ai mbahet mend si shefi i Policisë Rrugore. Disa flasin me mirënjohje, disa me pakënaqësi për punën e tij. E njëri nga ata që ka mirënjohje për të është edhe komisar Artan Osmani, i cili dy ditë më parë është emëruar në vendin e Ahmetit, ku ishte komanduar përkohësisht Nazmi Shuli. Madje, përveçse mirënjohje Osmani nuk nguron edhe ta falënderojë Krenar Ahmetin për punën që ai ka bërë në kryeqytet, në kohën kur ka drejtuar komisariatin, ku ai sapo është emëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi. Dje Ahmeti dhe Osmani i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, duke dhënë urime të ndërsjella për detyrat e reja.