“Si e zbuluam diagnozën e pacientit nga Kukësi”
zirina llambro
Mjekët e spitalit infektiv nuk e kanë pasur të lehtë përcaktimin e diagnozës për 51-vjeçarin nga Kukësi. Shenjat e etheve hemorragjike mund të ngatërroheshin fare mirë, me disa prej sëmundjeve të tjera infektive. Një tjetër arsye është edhe periudha e zbulimit të rastit. Ethet hemorragjike kryesisht shfaqen në stinën e verës. Pra, gjasat për të vendosur një tjetër diagnozë, me të njëjtat shenja nuk ishin të pakta. Por brenda 24 orëve bluzat e bardha kanë goditur në shenjë. Kjo edhe pse përgjigja e analizës specifike (serologjia për ethet hemorragjike) që konfirmon sëmundjen erdhi nga Roma pas disa ditësh. Kjo pasi në vendin tonë nuk mund të kryhet ky lloj ekzaminimi. Mjekja infeksioniste Ermira Muça dhe shefi i reanimacionit të spitalit Arben Ndreu, tregojnë se si u trajtua pacienti për më shumë se 2 javë. Ata kanë ndjekur hap pas hapi mbarëvajtjen e sëmundjes, padyshim nën orientimet e shefit të klinikës Dhimitër Kraja.
Trajtimi
”Pacienti erdhi në spital në gjendje të rëndë, ku spikasnin temperatura e lartë, hemorragjia dhe bllokimi i urinës. Specifikimi i diagnozës ishte i vështirë. Për 24 orë jemi marrë me të gjithë parametrat jetëkërcënues, në mënyrë që të kapërcente rrezikun. Duhet të vendosnim nëse duhej të trajtohej tek ne apo sëmundja kishte nevojë për trajtimin specifik të një tjetër specialiteti”, sqaron mjekja Ermira Muça. Sipas saj, dyshimet për ethet hemorragjike ishin që në fillim, duke pasur parasysh edhe zonën nga vinte i sëmuri. “Pas konsultimesh, duke parë shenjat e të sëmurit përcaktuam diagnozën e nisëm trajtimin me antiretorivorale, ndërkohë i sëmuri u shtrua në reanimacion”, nënvizon mjekja. Kolegu i saj Arben Ndreu, që e ka ndjekur në këtë shërbim tregon, se i sëmuri i kishte veshkat thuajse jashtë funksionit dhe u pa si domosdoshmëri kryerja e disa seancave dializë. “Ishte i nevojshëm transportimi tek shërbimi i nefrologjisë, në mënyrë që pacienti të kryente seancat e dializës për të cilat kishte nevojë. Kohëzgjatja e qëndrimit të tij në reanimacion ishte 10 ditë dhe gradualisht gjendja erdhi duke u përmirësuar. Skema e trajtimi rezultoi e efektshme dhe ai tashmë ka lënë spitalin”, sqaroi Ndreu.
Rastet nga
Kosova
Dyshime janë ngritur disa herë nga specialistët për transmetim të virusit nga përtej kufirit. Në Kosovë, nga sa raportojnë mediat e atjeshme, rastet me ethe hemorragjike janë të shumta. Në vitin 1995 madje ka pasur edhe epidemi masive me më shumë se 100 vatra. Sakaq edhe vitet e fundit janë zbuluar jo pak persona, kryesisht në zonat rurale, të cilët kanë marrë sëmundjen nga insektet. Dyshimet e mjekëve infeksionistë bazohen mbi afërsinë që ka rrethi Kukësit, ku janë zbuluar rastet me Kosovën, si dhe qarkullimin e qytetarëve nga dy anët e kufirit. Njihen disa lloje të etheve hemorragjike, në Ballkan qarkullojnë dy. Kjo sëmundje përcillet nga kafshët te njeriu, por atë mund ta transmetojë dhe një i sëmurë. Transmetimi bëhet me kontakt të ngushtë. Disa ditë pas infektimit nga virusi, qoftë rriqrat, shfaqen disa njolla në lëkurë. Veç tyre, sipas mjekëve, të sëmurët kanë zakonisht ethe, temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh e kockash, që merren shumë lehtë për shenja gripi dhe mund të kalojnë pa vëmendjen e duhur. Por bluzat e bardha pohojnë se mostrajtimi në kohë i sëmundjes mund të sjellë vdekjen e të prekurve.
“Nuk ka vaksinë për sëmundjen,trajtimi sipas rasteve”
Nuk ka trajtim specifik për ethet hemorragjike. As vaksinë për parandalimin e sëmundjes. Tek ne kësaj i shtohet edhe mungesa e laboratorëve për analizat. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur është shmangia e kontaktit me kafshët dhe insektet e infektuara. Gjithashtu për rastet kur zbulohet vatra e sëmundjes, zona vendoset në karantinë, duke kryer dezinfektimin e plotë. ”Minjtë e arave që kanë virusin mund të infektojnë ushqimet me anë të kafshimit ose jashtëqitjeve të tyre. Ndërkaq virusi konko-krime, që shkakton një tjetër lloj të etheve hemorragjike, transmetohet nga këpushat (insekt parazitar)”, sqarojnë specialistët. Rreziku i kësaj sëmundje virale është 30% me pasojë vdekjeprurëse dhe është në muajt qershor-shtator, ku ekziston mundësia më e madhe për t’u infektuar nga rriqrat, si bartëse kryesore të virusit. “Tek rriqrat të gjitha bakteret gjinden te koka dhe maja që e shpon trupin e njeriut apo kafshës“, nënvizojnë ekspertët. Personat që jetojnë në zonat rurale mbeten më të rrezikuarit dhe janë ata që duhet të bëjnë më shumë kujdes. ”Ushqimet duhet të lahen mirë para konsumit, sidomos produktet që mbahen në hambarë, ose në dhoma të mbyllura për t’u përdorur gjatë dimrit. Në këto raste infektimi prej minjve kryesisht në zonat veriore, por edhe në jug nuk është i pamundur”, vërejnë specialistët. Nga ana tjetër, ata këshillojnë se kur një person ka për një periudhë të gjatë shenjat e para të sëmundjes, ato nuk duhet të neglizhohen por duhet kontaktuar menjëherë me mjekun specialist. ”Më tej janë ata që vendosin për skemën e trajtimit të sëmundjes”, shprehen specialistët e ISHP. Kjo skemë është në vartësi të rasteve dhe gjendjes në të cilën ata paraqiten në spital. Nëse i sëmuri vjen në gjendje shumë të rëndë dhe virusi ka përparuar në organizëm, atëherë edhe shanset për të jetuar janë më të pakta. Por krahasuar me vite më parë, kur ethet hemorragjike cilësoheshin një sëmundje vdekjeprurëse, sot një pjesë e mirë e pacientëve shërohen plotësisht.