E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika, rikthehet “virusi i minjve”

 

zirina llambro

Prej 5 vitesh vetëm raste të dyshuara, forma të lehta të virusit, por asnjëherë të konfirmuara me analiza të sakta. Ethet hemorragjike, sëmundja që transmetohet nga minjtë tek njeriu për pak i ka marrë jetën E.S., një 51 vjeçari nga Kukësi. Ishte prekur nga një prej formave më të rënda të virusit. Ka mundur të shpëtojë vetëm falë ndërhyrjes së mjekëve të spitalit infektiv, të cilët diagnozën e kanë përcaktuar edhe pa analizën decizive. Më tej, kampionë gjaku janë dërguar në Romë, ku është vërtetuar  se diagnoza ishte e saktë. Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik pohon se kemi të bëjmë me një rast të veçuar, por nuk duhet anashkaluar kurrsesi risku. Virusi që shkakton formën më të rëndë të sëmundjes është gjetur te minjtë e arave, thuajse në të gjithë territorin e vendit. ”Në fund të dhjetorit ne u informuam nga mjekët e spitalit infektiv për një pacient nga Kukësi me ethe hemorragjike me sindromë renale, që është ndër format më të rënda të sëmundjes. Përpara viteve ‘90 ka pasur raste kryesisht në zonat veriore të vendit, por prej gati 5 vitesh janë gjetur vetëm forma të lehta të kësaj sëmundjeje, pa sindromën në fjalë. Prandaj për të konfirmuar nëse kishim të bënim pikërisht me ethet hemorragjike me sindromë renale, analizat u dërguan në Romë”, sqaron Bino. Ajo shton se pas marrjes së rezultateve grupe ekspertësh janë dërguar në këto zona për të parë prejardhjen e virusit.
Virusi te minjtë
”Dihet që ethet hemorragjike transmetohen te njeriu nga kafshët, kryesisht minjtë. Nga studimi që ne bëmë te këto kafshë, rezultoi se mbartnin një nga format më të rënda të virusit. Quhet “Dobrava” e qarkullon kryesisht në vendet e Ballkanit, si në Mal të Zi e Serbi”, nënvizon Bino. Ajo pohon se veç Kukësit e Tropojës, ky virus te minjtë e arave është lokalizuar edhe në shumë zona të tjera të vendit. ”E theksoj se virusi është gjetur tek minjtë e arave, por nuk kemi asnjë rast tjetër të pranisë të këtij virusi te njeriu”, thekson shefja e departamentit të sëmundjeve infektive. Sipas saj, nuk ka vend për panik, por duhet bërë kujdes kryesisht nga personat që jetojnë në zonat rurale. ”Mënyra më e lehtë për t’u infektuar nga virusi është urina e miut tek ushqimet, tek një rrobë apo me çfarëdo tjetër, me të cilin njeriu ka kontakte. Prandaj në këtë drejtim duhet bërë kujdes me higjienën e ushqimeve, vendet ku ato ruhen”, pohon Bino. Ajo nënvizon se të gjitha strukturat e shëndetit publik janë vënë në dijeni dhe për çdo rast të dyshuar, të sëmurët duhet të drejtohen drejt Tiranës. “Për vitin e kaluar ky ka qenë i vetmi rast i ri, që është evidentuar. Për pjesën tjetër të sëmundjeve infektive situata ka qenë pak a shumë e njëjtë. Nuk kemi vatra epidemie, ka madje deri diku një përmirësim të situatës”, vërejti specialistja e ISHP. Veç minjve rriqrat ose këpushat (lloje insekti), mund të infektojnë njerëzit me viruset e ndryshme të etheve hemorragjike. Në Kosovë sipas specialistëve, rastet e identifikuara e kanë marrë sëmundjen pikërisht nga këto insekte, që jetojnë në trupin e kafshëve. Madje, ka pasur edhe shpërthime masive të sëmundjes në disa vatra.

Ethet hemorragjike

    Shenjat e sëmundjes janë temperaturë, ethe dhe hemorragji
    Numërohen 10 lloje të etheve hemorragjike
    Dy qarkullojnë në Ballkan
    Prek moshat e reja mbi 18 vjeç
    Shfaqet në fshatrat e zonave të thella
    Burim infeksioni janë kafshët, kryesisht miu dhe insektet
    Transmetohet dhe ndërmjet njerëzve me kontakt të ngushtë
    Nuk ka mjekim specifik
    Shkakton vdekjen në fazën e saj akute

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›