Epidemia në Brazil preku mbi 32 mijë vetë
Një epidemi e frikshme, me 32 mijë të infektuar dhe mbi 100 viktima, është regjistruar vjet në Rio De zhanerio Brazil. Brenda një kohe shumë të shkurtër “dengue hemorragjik” versioni më i tmerrshëm i virusit, futi në karantinë gjithë qytetin. Sipas specialistëve, fëmijët e moshës 2-13 vjeç, shënuan rastet më të shumta. Sëmundja transmetohej përmes mushkonjës Aegypti. “Indeksi i vdekshmërisë në Rio, në rastet me dengue hemorragjike është 20 herë më i lartë se ai i regjistruar nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit)” shkruante gazeta “O Globo”. Sipas saj, dhe më shumë ishin pellgjet me ujë të ndenjur ku çdo insekt lëshon rreth 300 larva në 2 muaj jetë të tij. Në televizione, gazeta, radio dhe internet u pasqyrohen këshillat për të hedhur poshtë çdo lloj lëngu, edhe pse i pastër. Të sëmurët, në rast infektimi vuajnë nga ethe, gjumë, të vjella dhe diare. “Epidemia dengue nuk bën dallime klasore apo gjeografike. Ajo godet në zonat më të mjerueshme, ashtu sikurse dhe zonat më të pasura të Kopakabanës dhe Ipanemës, si ditën ashtu dhe natën. E vetmja mënyrë për ta luftuar, në kushtet kur nuk ka ende një vaksinë, është dezinfektimi. Megjithatë, për rrezikun kockëthyes nuk u flitet kurrë të huajve”, kanë raportuar mediat e huaja. Sipas tyre, për të vënë situatën nën kontroll u mobilizuan 1200 zjarrfikës, 900 punonjës të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë, por epidemia, ose siç quhet ndryshe “ethet kockëthyese”, nuk lëshoi pe për muaj me radhë. U dezinvetuan gati të gjitha shtëpitë. Ndërkaq Rio, një nga vendet më të vizituara në botë, priti deri në momentin e fundit për të dhënë alarmin për epideminë, vetëm e vetëm për të mos shkatërruar sezonin turistik. Vetëm kur u shënuan dhjetëra të vdekur autoritetet pranuan hapur rrezikun. Madje pranuan se kishin gabuar tërësisht në marrjen e masave parandaluese. Kjo pasi nuk i kishin dhënë rëndësinë e duhur sinjaleve për virusin vdekjeprurës. Epidemia dengue, e regjistruar vjet, ishte një nga më të rëndat e regjistruar së fundmi, për shkak të transmetimit të virusit nga një insekt te njeriu.