Pranga bandës së grabitjeve me armë
Etleva Delia
Një muaj hetime intensive u kurorëzuan dje me zbulimin dhe arrestimin e një grupi grabitësish me armë, që vepronin në Tiranë dhe Durrës. Lokale, dyqane, shtëpi, por edhe persona të ndryshëm në rrugë, janë grabitur në të paktën dhjetë raste gjatë tre muajve të fundit, nën kërcënimin e armëve nga një grup prej shtatë personash, të cilët tashmë kanë përfunduar në pranga. Operacioni i koduar “Fenix”, i realizuar nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kukësit, ka arritur të dokumentojë të paktën 10 grabitje me armë dhe eksploziv, kryesisht në kryeqytet. Sipas policisë, grupi i grabitësve përbëhej nga nënoficeri i Policisë Ushtarake, Ismail Gjana si dhe nga Adnan Dauti, Pajtim Cahani, Ermal Dida, Behar Rexha, Besmir Toçilla dhe Gazmir Shehu. Gjithashtu grupi hetimor ka arritur të zbulojë edhe mekanizmin se si kryheshin grabitjet, ndërkohë që vazhdon punën për dokumentimin edhe të disa grabitjeve të tjera.
MEKANIZMI
Sipas policisë, shtatë personat e arrestuar bashkëpunonin me njëri-tjetrin në formën e një grupi mjaft të organizuar për të realizuar grabitjet. Fillimisht ata studionin terrenin dhe zakonisht të gjitha vjedhjet e kryenin gjatë natës. Në grup ishin të “punësuar” pesë persona nga Tirana, dy nga Kukësi dhe një nga Durrësi. Kjo ka bërë që grabitjet të mos kryheshin vetëm në Tiranë dhe deri diku ata kanë pretenduar se në këtë formë do të fshihnin gjurmët. Dy prej të arrestuarve punonin me taksitë e tyre, në mënyrë që menjëherë pas vjedhjeve të transportonin mallrat për në “bazë”. Në rast se në planin e tyre të punës ishte një dyqan apo lokal që vazhdonte të ishte i hapur, për grabitjen e tyre ata përdornin maska dhe armë, kryesisht pistoleta. Në të kundërt, nëse e kishin mbyllur punën, ata përdornin eksploziv, në mënyrë që të futeshin brenda. Për këtë mënyrë grabitjeje u hynte në punë granatë hedhësi i lehtë dhe kundratanku. Por në disa raste nuk janë mjaftuar vetëm me lokale dhe dyqane, kanë shkuar edhe më tej, duke u futur me anë të kërcënimit në shtëpi të ndryshme, apo edhe duke plaçkitur persona në rrugë nën presionin e armës.
HETIMI
Për një muaj hetime, Policia e Tiranës dhe e Kukësit ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme që dokumentonin autorësinë e 7 personave të arrestuar për 10 grabitje me armë dhe eksploziv, të realizuara në Tiranë dhe Durrës. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se puna e grupit hetimor nuk ka përfunduar me kaq. Hetimet do të vazhdojnë edhe për aq kohë sa të vërtetohet autorësia e personave të arrestuar, në lidhje edhe me disa grabitje të tjera, në kryeqytet, Kukës dhe Durrës, por për të cilat ende nuk janë siguruar provat e mjaftueshme. Aktualisht të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë periudhave kohore tetor-nëntor-dhjetor të vitit 2008 dhe në fillim të këtij viti, dyshohet se kanë kryer një sërë veprash të renda penale. Mbi ta rëndojnë akuzat, “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje të pasurisë së tjetrit”, “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Disa prej anëtarëve të këtij grupi janë me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjeve, por edhe të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë.
TE ARRESTUAR
1. Adnand Ramadan Dauti, 22 vjeç, banues në Kukës, i proceduar më parë për vjedhje
2. Pajtim Sylo Cahani, 24 vjeç, banues në Babrru, Tiranë
3. Ermal Selman Dida, 24 vjeç, banues në Durrës
4. Ismail Qemal Gjana, 24 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë nënoficer në Policinë Ushtarake
5. Behar Nuredin Rexha, 18 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me parë për marrëdhënie seksuale me dhunë
6. Besmir Asllan Toçilla, 23 vjeç, banues në Kukës, i dënuar më parë për vjedhje
7. Gazmir Jah Shehu, 23 vjeç, banues në Kavajë
GRABITJET E BANDËS
1. Një minimarket në rrugën “Lord Bajron”, Tiranë, vjedhje me armë e realizuar më 8 dhjetor 2008.
2. Një market në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, vjedhje me armë e realizuar më 10 dhjetor 2008.
3. Një market në Bathore, Tiranë, vjedhje me armë e realizuar më 11 dhjetor 2008.
4. Shkatërrim me eksploziv e një automjeti dhe më pas vjedhje e realizuar më 12 dhjetort 2008, në Kamëz, Tiranë.
5. Vjedhje me armë e dy personave në afërsi të fushës së aviacionit, Tiranë, e realizuar më 19 dhjetor 2008.
6. Një market në fushën e aviacionit, Tiranë, vjedhje me armë e realizuar më 4 janar 2009.
7. Vjedhje me armë e një familje në fshatin Laknas të Tiranës, e realizuar më 10 janar 2009.
8. Vjedhje me thyerje e lokalit “Dibra” në Laprakë, Tiranë, e realizuar në nëntor të vitit 2008.
9. Vjedhje me armë e 2 mijë eurove të një kosovari në Durrës, e realizuar në gusht të vitit 2008.
10. Vjedhje me armë e një banese në fshatin Rrushbull të Durrësit, e realizuar më 8 janar 2009.
Policia: Hetimet filluan pas denoncimeve nga viktimat
Kanë qenë denoncime të kryera në polici nga pronarë lokalesh, dyqanesh, por edhe persona të ndryshëm që janë vjedhur në rrugë, ato që kanë bërë që Policia e Tiranës të marrë më me seriozitet punën për të zbuluar dhjetëra grabitje që kanë ndodhur në harkun kohor prej 3 muajsh. Kallëzimet e detajuara që kanë mbërritur rreth një muaj më parë në zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë dhënë mjaft elementë të domosdoshëm hetimi për policinë. Të gjitha grabitjet që kishin ndodhur dhe nuk ishin zbuluar nga policia, kishin të njëjtin mekanizëm. Madje edhe personat që kishin kryer vjedhjen, edhe pse të maskuar, të përshkruar nga personat që i kishin parë, kanë pasur fizionomi të njëjtë, pothuajse në të gjitha denoncimet. Në shumicën e rasteve, pronarët e lokaleve apo dyqaneve të grabitura kishin përshkruar një mënyrë të njëjtë vjedhjeje, shtrëngim me anë të kërcënimit me pistoleta për të dhënë të gjitha paratë dhe mallrat që u kërkoheshin nga autorët dhe më pas largimin e tyre me makina. Në rastet e tjera, kur nuk kishin pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të dyshuarit, ata kishin dëgjuar një shpërthim eksplozivi në objektin në pronësi të tyre apo me qira.