E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas katër vjetësh pritje do të shtrohet rruga e Velipojës

31/05/2005  Premtimi i Dokles

SHKODER - Rruga e Velipojës duket se do të shtrohet. Shpresat e pushuesve i ka ngjallur dje zv/kryeministri Namik Dokle, gjatë një vizite në plazhin e Velipojës së bashku me kandidatin për deputet të partisë së tij, Tomë Doshin.

Për Doklen kjo ishte vizita e parë në këtë plazh, që me mrekullitë natyrore që të ofron e ka mahnitur atë. Por krahas këtyre mrekullive, Dokle ka vënë re edhe numrin e shumtë të ndërtesave të bëra pa asnjë lloj plani, për të cilat ka shprehur keqardhjen dhe ka vënë në dukje mungesën e zbatimit të një mastër plani për ta bërë këtë zonë turistike model, nisur edhe nga mundësitë reale që të ofron plazhi i Velipojës.

Pas 4 vjet rropatjesh e thashethemesh për shtrimin e kësaj rruge, deri tani nga 33 km rrugë që të shpien nga Shkodra në plazhin e Velipojës janë shtruar vetëm 15 km rrugë, edhe këto që nga muaji shtator, pasi më pas nuk vuri kush dorë në të. Me sa duket shtrimi i pjesës tjetër të rrugës ishte lënë që të fillohej gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut.

Kështu është premtuar edhe nga zëvendëskryeministri Dokle, i cili gjatë kësaj vizite theksoi: ”Pjesa e fundit e kësaj rruge do të fillojë të shtrohet përpara datës së zgjedhjeve si dhe do të punohet për miratimin dhe zbatimin e mastër planit që është hartuar që nga viti 2003, në mënyrë që plazhi i bukur i Velipojës të jetë model dhe tërheqës, jo vetëm për pushuesit e huaj, por edhe më gjerë.

Megjithatë, fillimi i punimeve për shtrimin e kësaj rruge është përsëri i vonuar, po të merret parasysh fakti se me një qershor fillon sezoni i plazhit në Velipojë dhe fillimi i këtyre punimeve do të jetë një pengesë për qarkullimin e lirë të tyre, në një kohë kur të dhënat e vitit të kaluar flasin përreth 50 mijë pushues në çdo 15 ditësh.

Të bie në sy fakti se, këtë radhë përfundimi i mandatit të socialistëve apo ndryshe fushata elektorale e PS në zonën e Shkodrës është përqëndruar në fillimin e punimeve për shtrimin e rrugëve si në qytet ashtu edhe në komuna, investime këto që duhet të ishin bërë edhe më përpara, por që Shkodra nuk i kishte përfituar ndonjëherë gjatë këtyre viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›